
SHKUP- 2 shqiptarë të tjerë janë futur në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit. "Black-list" për amerikanët është Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e BDI-së. Gjithashtu, në listën e zezë është përfshirë edhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut. Sipas DASH, ka dyshime se të dy kanë "minuar" procesin gjyqësor për dënimin e Sasho Mijallkov, drejtor i Drejtorisë për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi, edhe ky në listën e zezë të DASH.
“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijallkov, drejtor i Drejtorisë për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi. Mijallkov u caktua në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas nenit 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë në përputhje me E.O. 14033. Në kuadër të këtij aksioni janë caktuar edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit,”- bëjnë të ditur nga Departamenti i Shtetit.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar Grubi, i cili përmes një statusi në faqen e tij në Facebook shprehet se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë vendim. Por shton se tashmë ka një "mision".
“Në mungesë të informacioneve të hollësishme, u informova nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Do të bëj përpjekje maksimale me të gjithë ata miq, me të cilët kemi punuar bashkë ndër vite për ta anëtarësuar vendin në NATO dhe në Bashkimin Europian, për ta zbardhur këtë rast në tërësi,”- shkruan Grubi.
Kush është Sasho Mijallkov?
Sasho Mijalkov e pranoi fajësinë për rastin “Perandoria” në marrëveshje me Prokurorinë Publike dhe u dënua me tre vjet burg dhe konfiskim të pasurisë prej 30 milionë eurosh. Më vonë, pasuria e tij u vlerësua pothuajse në dyfishin e kësaj shume. Ish-kreu i DSK-së akuzohej për grup kriminal dhe fshehje e paligjshme të pasurisë. Ish-shefi i zyrës së Mijalkov-it, Toni Jakimovski dhe ish-ndihmësi i ministrit të Brendshëm, Nebojsa Stajkovic, u dënuan me pesë vite burg secili për të njëjtat vepra. Një ish-zyrtar i katërt i policisë sekrete, Goran Grujevski, i cili u gjykua në mungesë sepse u arratis nga vendi në 2017-ën, u dënua me 15 vite burg.
Sipas gjykatës, Mijalkov dhe të pandehurit e tjerë blenë pajisje nga kompania britanike “Gamma International” midis 2010-ës dhe 2012-ës, përmes një kompanie të quajtur “Finzi” nga Shkupi, si ndërmjetës, në vend që ta blinin atë direkt nga kompania, e cila do të ishte më e lirë. Gjykata zbuloi se përfituesi i fshehur i “Finzi”-it ishte Mijalkov-i. Pas blerjes së pajisjeve, të pandehurit gjithashtu e paguanin “Finzi”-n në disa raste për trajnim dhe mirëmbajtje të pajisjeve. Kjo i kushtoi buxhetit të shtetit 48 milionë dinarë – rreth 778 mijë euro.
Gjykata tha se Finzi u themelua fillimisht nga një kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se para se të përdorej nga Mijalkov-i dhe bashkëpunëtorët e tij, ajo ishte në pronësi të biznesmenit aktualisht të ndaluar Orce Kamchev. Finzi nuk kishte asnjë punonjës gjatë kohës së blerjeve të paligjshme, dhe se ishte gjithashtu plotësisht pa përvojë në tregtimin ose mirëmbajtjen e pajisjeve të mbikëqyrjes.
Historiku i drejtimit të kompanisë
Menaxheri i parë i Finzi-it ishte Vladislav Stajkovic, vëllai i të pandehurit Nebojsha Stajkovic, i cili u paraqit si dëshmitar gjatë gjykimit, por dëshminë e të cilit gjykata e hodhi poshtë si të pabesueshme. Më vonë, menaxheri i Finzi-it u bë Kosta Krpac, vdekja e të cilit në 2016-ën, megjithëse u regjistrua zyrtarisht nga policia si një vetëvrasje, shkaktoi dyshime për “lojë të ndyrë”./ZËRI