KOSOVË-Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh. Sheholli, i arrestuar në tetor të vitit të kaluar, ngarkohet me veprën penale të spiunazhit pasi, nga një datë e pacaktuar e deri në ditën e arrestimit të tij, “me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si “BIA”), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi”.
Në dosje, Prokuroria pretendon se materialet ishin të destinuara për komprometimin e ministrit Nenad Rashiç dhe zyrtarëve të ministrisë së tij, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025. Sipas aktakuzës të cilën e kanë zbardhur mediat në Kosovë, Sheholli ia dorëzoi këto materiale gazetarit Milaim Zeka për publikim, ndërsa ky i fundit dyshohet se mori 1 mijë euro.
Dosja pretendon se, pas dorëzimit të materialeve, Bojan Dimiç kontaktoi Shehollin për t'u interesuar nëse ato ishin publikuar, ndërsa më 1 tetor 2025 Sheholli i përcolli Zekës kërkesën e zyrtarit të BIA-s që publikimi të bëhej më herët.
Dosja përshkruan se më 30.09.2025, kishte filluar zbatimi i planit të BIA-s, fillimisht në profilin “Pa rrotulla” të gazetarit Zeka ishte publikuar një paralajmërim për një material i cili ishte siguruar përmes Fatmir Shehollit nga një agjend i BIA-s serbe, Bojan Dimiq i njohur edhe si Gizi. Pas dorëzimit të materialit, dosja përshkruan se Bojan Dimiç kontakton të pandehurin Fatmir Sheholli dhe interesohet nëse materiali është publikuar dhe jep udhëzimet e tij, ndërsa më 01.10.2025 Fatmir Sheholli i përcjell Milaim Zekës detyrën që merr nga Bojan Dimiç, që publikimi të bëhet më herët.
Në aktakuzë janë përfshirë edhe biseda të transkriptuara mes Shehollit dhe Zekës. Sipas Prokurorisë, Sheholli i shkruan: "Më tha ai shoku (Dimiç) veç thuj ma herët qite mos i vono si prom."
Po sipas dosjes, Milaim Zeka i përgjigjet: "Hajt bre thuj atij mos mu përzi, thuj ka thonë Mili mos mu përzi se nuk i qes hiq, qetash gjysë orë në Klan Kosova ja kushtoj qetyne seneve."
Gjatë marrjes në pyetje, Prokuroria e pyeti Shehollin nëse Milaim Zeka kishte dijeni se materialet ishin siguruar nga Bojan Dimiç. Sipas procesverbalit të cituar në aktakuzë, Sheholli deklaroi se Zekës i kishte thënë se ato vinin nga "një ish-punëtor i Gizit", por se gazetari nuk kishte dijeni për komunikimet e tij me Dimiqin. Në të njëjtën deklaratë, Sheholli pretendon se Zeka i kishte kërkuar "3-4 mijë euro për përkthim, editim dhe publikim" të materialeve.
Dosja përshkruan edhe bisedat e zhvilluara nga Sheholli me familjarët pas arrestimit të tij. Sipas Prokurorisë, në këto komunikime ai pranon se në Mitrovicën e Veriut kishte marrë një USB, transkripte dhe 5 mijë euro, materiale që më pas, sipas deklarimit të tij, ia dorëzoi Milaim Zekës së bashku me 1 mijë euro për publikimin e tyre.
Pas publikimit të aktakuzës, gazetari Milaim Zeka reagoi në emisionin "FIVE" në TV Dukagjini, ku dha versionin e tij për materialet dhe shumën prej 1 mijë eurosh që përmendet në dosjen e Prokurorisë. Duke folur për materialet në gjuhën serbe, ai tha se i ishin prezantuar si materiale nga GIZ-i gjerman.
"Unë e kam marrë nga dikush brenda GIZ-it… Mos harro që në këto shoqata humanitare, të ashtuquajtura humanitare, ka agjentë të lartë të shërbimeve nga vijnë".
Për shumën prej 1 mijë eurosh, Zeka dha një version tjetër nga ai që përshkruhet në aktakuzë.
"Gjatë bisedës me Fatmirin, i kam thënë nuk e njoh gjuhën serbe dhe duhet me i marrë dhe t’i përkthejmë. Tash, po të them për herë të parë, që ato 1 mijë euro kanë qenë për përkthime, që ky vet e deklaron. Që ditën e parë kur më ka marrë në pyetje policia, që i kam marrë 1 mijë euro, të cilat ia kam kthyer Shehollit para arrestimit. Pasi përkthyesi nuk ka pranuar pagesë. Ia kam dhënë paratë një personi të afërt të Fatmirit", deklaroi gazetari.