KOSOVË- Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nevojitet më shumë kohë për konsultime mes partive politike, duke kërkuar që punimet e Kuvendit të Kosovës të vijojnë vetëm pasi të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri. Pas ndërprerjes së seancës, në një konferencë për mediat, Kurti tha se një dakordësi mes subjekteve politike është e nevojshme për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Ai bëri të ditur se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa ftoi në negociata edhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, si dhe drejtuesin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini.
Sipas Kurtit, nëse posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese dhe qeveria formohet nga shumica parlamentare, atëherë edhe zgjedhja e presidentit duhet të jetë një proces që kërkon bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e përbashkët të partive kryesore politike, përfshirë PDK-në dhe AAK-në.
Negociatat mes forcave politike pritet të vijojnë në ditët në vijim, ndërsa mbetet e hapur zgjidhja e ngërçit institucional.
"Përballë kësaj situate, e cila ka nevojë për trashëgimi dhe konsideroj se është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimit para se të lëvizim me konstituimin e Kuvendit, gjë që do ta vështirësonte evitimin e zgjedhjeve. Na duhet shtesë kohe për diskutime dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit të vazhdojmë me çështje tjera. Jam i interesuar të vazhdoj diskutimin me LDK-në për një marrëveshje. Por i bëj thirrje edhe kryetarit të AAK-së dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të takohen, të bisedojnë. Nëse kryetari i Kuvendit i takon subjektit fitues që është LVV dhe nëse qeverinë e formon mazhoranca që jemi ne, nëse këto dyja janë përgjegjësi e jona, zgjedhja e presidentit është përgjegjësi edhe e PDK-së edhe e AAK-së” tha Kurti /ZËRI