Bota

Senati amerikan konfirmon Eric Wendt ambasador të SHBA-së në Shqipëri, pritet firma e Trump

Senati i SHBA-së miratoi kandidaturën e tij me 50 vota pro dhe 44 kundër, pasi ai kishte marrë më herët mbështetjen e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë.

l.k
Senati amerikan konfirmon Eric Wendt ambasador të SHBA-së në
Eric Wendt

SHBA- Eric Wendt kaloi me sukses fazën e parafundit të procesit të emërimit, duke u konfirmuar nga Senati amerikan në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Senati i SHBA-së miratoi kandidaturën e tij me 50 vota pro dhe 44 kundër, pasi ai kishte marrë më herët mbështetjen e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Pas këtij hapi procedurial, pritet që presidenti Donald Trump të firmosë emërimin e Wendt. Ky është edhe hapi i fundit drejt finalizimit të mandatit të tij si ambasador i SHBA-së në Shqipëri. Eric Wendt do ta marrë zyrtarisht detyrën pasi të dorëzojë letrat kredenciale te Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Eric Wendt do të jetë pasuesi i ambasadores Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në vitin 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa procesi për emërimin e një ambasadori të ri u zgjat për shkak të procedurave të konfirmimit në Senat.

Kush është Eric Wendt?

Sipas të dhënave të karrierës së tij, Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.

Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati./ZËRI

Poll

MOS HUMB