KOSOVË- Një ditë pas përfundimit të afatit kushtetues, Kuvendi i Kosovës mban sot seancën konstituive, pas zgjedhjeve të 7 qershorit të këtij viti. Seanca ka nisur në orën 10:00 dhe po kryesohet nga Avni Dehari, si deputeti më i moshuar, ashtu siç e kërkon procedura.
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, rendi i ditës parashikon që hapi i parë të jetë verifikimi i kuorumit dhe i mandateve përmes një komisioni të përkohshëm.
Pas konstituimit të këtij komisioni, deputetët do të bëjnë betimin, për t’u kaluar më pas te zgjedhja e drejtimit të Kuvendit, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarët.
Ndërkohë, takimet e së martës dhe së mërkurës mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përfunduan pa një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja. Në përfundim të takimit të fundit, Kurti u shpreh shkurt para mediave, duke konfirmuar se palët nuk kishin arritur dakordësi.
Sipas Kushtetueses, nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje.
Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor, të tretat brenda një viti e gjysmë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse Kosova mban sërish zgjedhje, atëherë ato do të ishin votimet e katërta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar./ZËRI