KOSOVË- Një tjetër takim mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa marrëveshje.
Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku deklaroi se janë shumë larg marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje. Një nga çështjet kryesore ku palët nuk kanë gjetur dakordësi është ajo e presidentit. Abdixhiku ka kërkuar që kandidati për president të propozohet nga LDK-ja, ndërsa emri të diskutohet më pas me partnerët politikë.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani.
Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjatë.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zv.kryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është dinjitoze as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar. Sapo të pajtohemi që propozimi për president të vijë nga LDK, atëherë bashkë me Kurtin e caktojmë atë emër. Nuk po flas ‘na jepni mbështetje dhe vijmë me dy emra’. Jo jo, flasim, sepse po flasim për presidentin”, është shprehur Abdixhiku,
Nga ana tjetër, edhe Albin Kurti konfirmoi se palët nuk kanë arritur ende marrëveshje politike.
"Marrëveshje politike nuk e kemi ende, pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LKD-së”, është shprehur Kurti.
Një ditë më parë u mbajt seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët bënë betimin. Megjithatë, procesi nuk u përmbyll, pasi nuk u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe Albin Kurti kërkoi më shumë kohë për bisedime me partitë e tjera, edhe për Presidentin.
Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundon sot, më 7 gusht, në mesnatë.
Sipas Kushtetueses, nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje. Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor, të tretat brenda një viti e gjysmë. Partitë parlamentare kanë rreth 2 muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje./ZËRI

