KOSOVË-Ka nisur në Prishtinë “Marshi për Liri”, tubimi, në prag të vendimit final ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Qytetarët me flamuj kuq e zi e simbole të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, prej nga ka nisur marshimi në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK.
"S’ka qetësi nëse vendimi sjell padrejtësi”, “Kur preket UÇK-ja, ngrihemi të gjithë”, “Ne emër të popullit çlirimtar”, janë disa nga mesazhet e qytetarëve në pankarta.
Aktiviteti organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, e cila ka njoftuar se tubimet dhe aktivitetet mbështetëse do të vijojnë gjatë ditëve në komunat e Kosovës, por edhe në diasporë. Pjesë e tubimit janë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa në Prishtinë kanë mbërritur edhe shqiptarë nga Shqipëria dhe diaspora.
Dhjetëra qytetarë nga Shqipëria kanë kaluar përmes pikës kufitare të Morinit, ndërsa mes pjesëmarrësve janë edhe shqiptarë nga Zvicra dhe vende të tjera. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi më 16 shtator do të mësojnë fatin e tyre nga Gjykata e Hagës.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërsa Prokuroria i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar. Sipas aktakuzës, të akuzuarit mbajnë përgjegjësi edhe për veprimet e personave nën komandën e tyre. Gjatë procesit gjyqësor janë shqyrtuar qindra prova dhe janë dëgjuar dëshmitarë nga të dyja palët./ZËRI