KOSOVË- Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish këtë të premte, pasi deputetët nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu në nisje të seancës hodhi në votim propozimin që kandidatët për nënkryetarë të votohen individualisht.
Me 71 vota për, deputetët vendosën që kandidatët për nënkryetarë të votohen veç e veç, pasi nuk kishte dakordim për votimin në grup. Në këtë proces, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me 100 vota. Nga ana tjetër, kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme, pasi mori vetëm 44. Pas këtij rezultati, PDK-së iu kërkua të propozojë një kandidat tjetër për nënkryetar, por shumica e deputetëve braktisën sallën e Kuvendit.
Të mërkurën, 9 shtator, Albulena Haxhiu u rizgjodh në postin e kryetares së Kuvendit. Por, seanca u shty për shkak të mosdakordësisë mes partive lidhur me votimin e nënkryetarëve.
Haxhiu, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje mori mbështetjen e nevojshme të deputetëve për të udhëhequr Kuvendin në legjislaturën e 11-të. Albulena Haxhiu ishte edhe kryetare e legjislaturës së dhjetë e cila u shpërnda më 1 korrik 2026. Haxhiu ushtron edhe postin e presidentit nga 5 prilli, do të vazhdojë edhe më tutje këtë detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri./ZËRI
