Mbyllet seanca në Hagë, vendimi për ish-krerët e UÇK pas 90 ditësh
HAGË- Është mbyllur seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale të Hagës. Vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin do të jepet pas 90 ditësh. Në seancën e kësaj të mërkure, katër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbajtën dëshminë e tyre të fundit para trupës gjykuese.
"Nuk jam kriminel", Krasniqi: Jemi burgosur padrejtësisht! Për 5 vite më janë mohuar të drejtat e njeriut!
HAGË- Fjalën e fundit para togave zeza të Hagës e kishte ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Para trupit gjykues, Jakup Krasniqi tha se sot qëndron para tyre jo si një kriminel siç e përshkruan akuza, por si një njeri që ka luftuar për dinjitet njerëzor.
Ai tha se për më shumë se pesë vjet, i është mohuar e drejta e njeriut, duke theksuar ndër më të rëndësishmën, atë për të jetuar në liri. Në fjalën e tij, Krasniqi theksoi se aktakuza e prokurorisë është ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftëra brenda një dekade.
“Përshëndes gjithë qytetarët e Kosovës që dje festuan pavarësinë e tyre. Qytetarët që jetojnë në liri, në pavarësi dhe me drejtësi. Qëndroj sot këtu para jush të nderuar qytetarë, jo si një kriminel që e përshkruan aktakuza e Serbisë, por si një njeri i lindur dhe i kalitur në luftëra për dinjitet njerëzor. Pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri. Pas më shumë se 5 vitesh burgim të padrejtë dhe sipas mendimit tim të panevojshëm, vij këtu për të treguar angazhimin tim politik e njerëzor për liri, që e kam filluar që herët. Dhe për të dhënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi kundër politikave të perskeutimit dhe regjimit serb që sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë të popullit të Kosovës.
Më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri. E drejta për një njeri në fazat e fundit të jetës së tij, për të jetuar vitet e fundit pranë familjes dhe në liri. Kjo është bërë pa i rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm. Përkundrazi. Kam rrezikuar jetën time jo vetëm në luftën çlirimtare, por në vitet ’72-‘73 së bashku me familjen time, me bashkëkombësit e mi. Me besimin se errësira e padrejtësisë do të thyhej me agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse u angazhova sërish. Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit. Vetëm se luftova për liri, pavarësinë e popullit tim. Thashë viti i 16-të, sepse 11 vite i kam kaluar në burg nga viti ’81-’91. Të kalosh 16 vite të jetës nga 75 në burg nuk është gjë e vogël. Dalja ime tregoi se isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë.
Një njeri nuk zgjedh lehtë rezistencën. E zgjedh atë kur e drejta e tjetrit mbi dinjitetin është e ndaluar. Më mohua e drejta më njerëzore e çdo personi të lindur si i lirë, e drejta për ta dashur hapur vendin tim, apo për ta përçuar atë që kam mësuar prej dekadash jetë edhe sakrificash. Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Akuzat e prokurorisë janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan luftëra brenda një dekade të vetme. E gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve në Kosovë. NATO nuk është bashkuar kurrë me terrorizmin dhe gjenocidin. Pa atë mbështetje, liria jonë nuk do të ekzistonte. Por pa rezistencën tonë, nuk do të ishte arritur kurrë”, tha Krasniqi./ZËRI
"Të prisnim radhën për t'u vrarë"? Selimi mbyll fjalën në Hagë: Kurdo të kthehem, do të kthehem në Kosovën e lirë!
HAGË- Ish-themeluesi i Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi, mbajti fjalën e tij të fundit në Gjykata Speciale në Hagë. Në fjalën e tij para trupit gjykues, Selimi tha se kjo ishte hera e tretë dhe shpreson e fundit që merrte fjalën në sallën e gjyqit, duke theksuar se pesë vitet e fundit kanë qenë të vështira, por sipas tij, le të shërbejën për drejtësinë.
Në fjalën e tij të fundit në Hagë, Rexhep Selimi u shpreh se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi. Ai gjithashtu i konsideroi të padrejta dhe të pabazuara akuzat e Prokurorisë Speciale. Selimi iu drejtua gjykatës dhe ngriti pyetje se si duhet të vepronin, kur Serbia po vriste shqiptarët me radhë.
“Është hera e tretë dhe uroj e fundit që e marr fjalën në këtë sallë. Kanë kaluar më shumë se 5 vite nga fillimi i këtij procesi. Nuk kanë qenë të lehta por le të shërbejë si mundësi e shans i mirë për drejtësinë. Pas gjithë këtyre viteve shpresoj që trupi gjykues të ketë patur kohë të kuptojë se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë. Sot rrjedhja e procesit më ka dhënë të drejtë. Akuzat janë të pabazuara dhe të padrejta. Nuk jam ngritur të mbroj veten time, as për t‘ju treguar ju për drejtësinë, sot jam këtu për të kërkuar nga jut ë ushtroni drejtësinë. Prokuroria, përpjekje të vazhdueshme për të njollosur një luftë clirimtare. Shenjestër e saj ishte pikërisht UCK, dhe qëllimi i saj, pavarësia e Kosovës. Në përpjekje për të ngarkuar me përgjegjësi shtabin, mbajti qëndrime akuzuese si shtabi kërkonte pavarësi. Vështirë të kuptohet kundër kujt është ngritur kjo aktakuzë. Kjo mbetet për tu vlerësuar nga ju i nderuar trup gjykues. Po aq problematike është përpjekja për të ndarë shoqërinë e Kosovës në dysh. Për këtë, citoj prokurorinë: Shtabi kërkonte pavarësinë partitë që mbështesnin autonominë konsideroheshin tradhtare. Të gjitha partitë shqiptare ishin për pavarësinë ashtu si qëllimi i UCK. Akuza sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës por edhe të ardhmes së saj. Lufta clirimtare nuk mund të barazohet me një plan kriminal të Serbisë. Ky barazim është thellësisht i padrejtë. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në në sallë gjyqi. E kanë shkruar luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e Atdheut. Kur Serbia vriste, dhe spastronin e bënin gjenocid cfarë duhet të bënim ne? Të mos reagonim?” u shpreh ai.
Selimi kërkoi që vendimi i gjykatës të mbështetet vetëm në fakte të provuara dhe jo në hamendësime, duke shprehur bindjen se "drejtësia dhe vetëm drejtësia do të na kthejë në atdheun tonë".
“UÇK nuk kishte plane për të sulmuar civilë apo kundërshtarë politike, UÇK ishte një ushtri çlirimtare. Jam i mendimit që bëmë gjënë e duhur dhe sot do të bëja të njëjtën gjë. Prandaj ata na mbështetën, na mbështetën edhe vendet tuaja. Prokuroria kërkon dënime shumë të gjata, aq të gjata saqë synojnë që të na ndalojnë përgjithmonë hyrjen në vendin tonë. Prokuroria duhet ta kishte kuptuar, që kurdo që do të kthehem në Kosovë, në Kosovën e lirë, për të cilën jam i gatshëm të jap jetën sa herë që do të kërkohej.", u shpreh Selimi.
"Kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim", Veseli në Hagë: Akuza të pabazuara, drejtësia vonon, por s'harron
HAGË- Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij para togave në Hagë u shpreh se në të gjithë aktivitetin e tij nuk ka kryer asnjë krim, siç pretendon Prokuroria Speciale. Në fjalën e tij, Veseli ka nënvizuar se ka luftuar që Kosova të jetë e lirë si çdo vend tjetër i botës, duke kujtuar se ai dhe familja e tij, kishin jetuar në persekutim të vazhdueshëm nga shteti serb.
Veseli tha se nuk e ka humbur kurrë besimin te liria dhe e drejta, teksa thksoi se nuk u provua asnjë veprim nga ana e tij dhe nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer ndonjë krim.
“Gjykata me çdo kusht duhet të mbrojë drejtësinë, te vërtetën dhe paanësinë. Kjo nuk është vetëm një detyrë ligjore, është kontributi i madh dhe trashëgimi që do mbetet prej kësaj gjykate. Ky është dhe shkaku pse iu bashkove mijëra grave dhe burrave, që u rreshtuan në radhët e UCK për lirinë e Kosovës. Kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim, që çdo qytetar të gëzojë drejtësi dhe që bota la njoh të vërtetën për kombin tonë. Në momentet më të errëta nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta, liria do të triumfonin. Kam besuar se populli i Kosovës, si çdo popull tjetër në botë, kishte të drejtën për të jetuar në liri dhe me dinjitet. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë. As paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta. Dhunë, urrejtja dhe hakmarrja nuk mund të jenë kauzë e drejtë. Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk u provua asnjë veprim nga ana ime”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Veseli uroi edhe Pavarësinë e Kosovës.
“Dje ka qenë dita e pavarësisë së shtetit tim. Kam vetëm një përshëndetje në fund për gjithë qytetarët e vendit tim, urime pavarësia, ta gëzoni qytetarët e republikës së Kosovës lirinë. Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë”, tha Veseli.
/ZËRI
"Jam plotësisht i pafajshëm"! Fjala e fundit në Hagë, Thaçi: U ktheva në Kosovë për paqe, pushteti im i vetëm ishte zëri
HAGË- Ish-presidenti Hashim Thaçi ka nisur fjalimin e tij para trupës gjykuese, në seancën përmbyllëse në Hagë. Ai e ka nisur fjalimin e tij duke uruar shqiptarët për pavarësinë e Kosovës.
Lidhur me akuzat e Prokurorisë, Thaçi ka deklaruar pafajësinë e tij. Ai theksoi se gjatë këtyre 3 viteve në gyq, ka vetëm një të vërtetë, ajo që ai është plotësisht i pafajshëm. Thaçi hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se veprimtaria e tij gjatë luftës ka qenë në mbrojtje të popullit të Kosovës.
Ai akuzoi ish-presidentin serb Slobodan Millosheviç si "të vetmin njeri që po bënte plane për një gjenocid tjetër", duke shtuar se ishte detyruar të largohej nga Kosova për shkak të ndjekjes nga regjimi i Beogradit.
Ish-presidenti Hashim Thaçi deklaroi se nuk pendohet për kthimin e tij në Kosovë, edhe pse rrezikohej jeta e tij, duke theksuar se i vetmi pushtet i tij ishte zëri.
"Të nderuar të gjithë të pranishëm, përshëndetje edhe ju të gjithë që na përcillni nga liria. Dje në Kosovë u shënua 18 vjetori i Pavarësisë. Më 17 shkurt, duke ndjekur rrahjet e zemrës së stërgjyshërve tanë, shpallëm Pavarësinë e Kosovës. Dëshiroj që nga kjo sallë të shpeh urimet më të përzemërta.
Të nderuar gjyqtarë, për gati 3 vite në këtë sallë ju i keni dëgjuar akuzat e prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet dhe dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë, që akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm! Por unë bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998 unë isha student në Zyrih. Nuk po bëja plane si ta merrja kontrollin në Kosovë, por për provimet në universitet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Slobodan Milosheviç. Plane për një gjenocid të ri në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, u detyrova ta lëshoja Kosovën sepse regjimi i Milosheviçit më kishte ndjekur. Ai më kishte dënuar në mungesë me akuzën se kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese.
Duke i parë masakrat ndaj popullit tim, nuk mund të qëndroja indifferent. Vendosa të kthehem në 1998 ishte vendim personal i imi i askujt tjetër. S’mund të qëndroja anash ndërsa populli përballej me shfarosje. Bëra atë që do të bënte kushdo. Për këtë jam krenar, dhe nuk i bie pishman asnjëherë.
Të nderuar gjyqtar, prokuroria pretendon se qëllim ishte marrja e Kosovës, është tejet absurde dhe ofenduese. Është ofendim për kujtimin e mijërave heronjve që dhanë jetën për liri. Është ofendim dhe e padrejtë edhe për përpjekjet e NATOS dhe Perëndimit me të cilët bashkëpunova Përsëris një të vërtetë të përjetshme. I vetmi kundërshtar o imi, popullit të Kosovës dhe botës demokratike ishte Milloshevic. Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë, vecanërisht gjatë luftës ku nuk e dija në do isha gjallë. Nuk isha i sigurt nëse do shihja familjen time e lë më të ënderroja të ushtroja kontroll në Kosovë, fakti që disa prej nesh sot jemi gjallë është fat.
U ktheva në Atdhe duke rrezikuar jetën për liri dhe paqe. Marrje e kontrollit prej kujt? Kontrolli dhe pushteti ishin plotësisht në duar e hekurta të Slobodan Miloshevicit. Ata shtypeshin nga pushteti i tij. Mbijetesa, liria dhe paqja, ishin misioni ynë si popull. Nuk kisha iluzione por shpresa e jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike, SHBA dhe NATO. Fokusi im ishte forcimi i kësaj aleance. Udhëtova në shumë kryeqytete për ti bindur për kauzën tonë të drejtë. Kudo që isha, isha në kontakt me zyrtarët e SHBA Ne vetëm po vetë mbroheshim. Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO dhe ashtu ndodhi. Pa NATO nuk do kishte pavarësi. Pavarësia nuk ishte instrument për pushtet por për dinjitet.", u shpreh Thaçi./ZËRI
Përfundon mbrojtja e Veselit, Selimit dhe Krasniqit në Hagë, kërkojnë pafajësinë: Asnjë provë fajësie, grumbull thashethemesh!
HAGË- Seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së po mbahet në Hagë, në një prej seancave më të rëndësishme, pasi secili prej tyre do të ketë në dispozicion nga 20 minuta për t’iu drejtuar gjykatës me deklaratat përmbyllëse.
Mbrojtja e Kadri Veselit është shprehur se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe thashetheme. Avokati Rodney Dixon tha se Kadri Veseli nuk mund të shpallet fajtor në bazë të provave që nuk janë testuar apo në bazë të thashethemeve. Për ta vërtetuar këtë, ai mori një video të publikuar nga Prokuroria ku një dëshmitar tha se kishte dëgjuar nga dikush se Veseli ishte përfshirë në krime.
"Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë", u shpreh avokati.
"Mbrojtja mbështetet në të drejtat më themelore që duhen të jenë në çdo gjykim penal, pra e thënë shkurt, të testohen provat ndaj të akuzuarve. ZPS-ja po përpiqet të shfrytëzojë pikërisht fillin e artë të të drejtës penale për të lidhur klientin tim. Ky parim ligjor është i padiskutueshëm, gjykata nuk mund të shpall fajësinë për një person, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm mbi prova të patestuara dhe thashetheme", tha Dixon.
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, në përmbyllje të fjalës së tij kritikoi ashpër Prokurorinë e Hagës për mungesë provave. Avokati theksoi se Prokuroria nuk është e bindur për argumentet ndaj Selimit, teksa shtoi se nuk po arrin të bëjë dallimin mes pretendimeve dhe provave.
“S’mund të vërtetohet që z. Selimi ka kontribuar në krimet paraqitura në aktakuzë. S’mund të merret vendim fajësie për z. Selimi në lidhje me NKP-në. Prokuroria s’ka më asnjë provë për të siguruar vendimin e fajësisë për z. Selimi. Për secilin prej pretendimeve që ka pasur prokuroria, kanë qenë të pa baza...Paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave, është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor, sa është edhe befasuese. Por edhe paaftësia për të trajtuar pikat e tjera që janë ngritur në lidhje me NPK-në theksojnë mungesën e qartësisë dhe besimit që ka vetë Prokuroria në argumentet e veta”, tha Geoffrey Roberts.
Në përfundim, avokati kërkoi pafajësi për Rexhep Selimin dhe kthimin menjëherë në Kosovë, pranë familjes së tij. Sipas tij, asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet në bazë të provave që janë paraqitur në këtë çështje gjyqësore.
“Prokuroria nuk ka argumente kundër zoti Selimi. Nuk mund të merret vendim fajësie. Nuk ka asnjë provë, asgjë nuk mund të nxjerrë Prokuroria tani për të siguruar vendimin e fajësisë kundër z. Selimi. Për secilin nga pretendimet që ka pasur prokuroria ndaj z. Selimi në këtë raste gjyqësor, këto kanë qenë të pabaza. Duhet shfajësohet nga të gjitha akuzat, të lirohet menjëherë dhe të kthehet në Kosovë pranë familjes së tij. Asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet në bazë të provave që janë paraqitur në këtë çështje gjyqësore.”, ka përfunduar Roberts.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit gjithashtu mbajti fjalën përmbyllëse në seancë, teksa avokati Aidan Ellis, deklaroi se argumentet Gjykatës Speciale vazhdojnë të karakterizohen nga selektiviteti dhe përzgjedhje të vazhdueshme. Sipas avokatit, kjo nuk është analizë, por shtrembërim. Ai deklaroi se provat do ta çojnë trupin gjykues që ta shpallin atë të pafajshëm.
“Prokuroria përzgjodhi fragmente që i shkojnë për shtati teorisë së saj, ndërkohë që nuk mori parasysh fare sqarimet si dhe dëshmi shfajësuese dhe të pakundërshtuara nga vetë dëshmitarë të Prokurorisë. Kjo nuk është analizë, kjo është shtrembërim”, tha avokati./ZËRI
Gjyqi në Hagë/ Avokati i Thaçit: Prokuroria nuk ka prova kundër tij, premtuan fishekzjarre, por bënë mëkat
HAGË-Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, u shpreh në gjyq se Prokuroria Speciale ka kryer një mëkat të madh dhe të pafalshëm në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, ata premtuan fishekzjarrë dhe spektakël, por nuk paraqitën asgjë. Ai theksoi se Prokuroria po ndryshon paraqitjen e provave në kundërpërgjigjet e tyre.
Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç: Mëkati më i madh në një gjykim është që të premtohet më tepër se mund të paraqitet dhe ZPS ka bërë këtë mëkat të madh, të pafalshëm në këtë gjykim. Ata kanë premtuar fishekzjarre, spektakël, por nuk kanë paraqitur asgjë. Të mërkurën i kërkuam Prokurorisë të na shpjegonte se si arriti në këtë përfundim, kur Zyrapi ishte i pranishëm në takimet e UÇK-së dhe Zyrapi nuk ishte anëtar i NPK-së. Ne nuk morëm asnjë përgjigje, dhe arsyeja për këtë është se Prokuroria nuk ka asnjë përgjigje. Për ne kjo nuk ka kuptim. Mbrojtja e di që ju do e bëni punën tuaj i nderuar gjykatës, dhe ju do të pranoni konsensusin, pra provat që kemi ju kanë përshkruar juve. Në fakt është Prokuroria ajo që nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj. Ata duan që ju të bëni punën e atyre, ata duan që ju të gjeni prova që ata nuk arrinin të gjenin. Por siç e thashë të hënën, barra e provës bie mbi ZPS-në dhe vetëm mbi ZPS-në, dhe ata dështuan për këtë.
Gjyqi në Hagë/ Fjala e fundit e 4-ish krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi: Jemi të pafajshëm! Vendimi pas 90 ditësh