ITALI- Biznesmeni dhe ish-gazetari italian Valter Lavitola është arrestuar për atentatin me eksploziv ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, drejtuesit të emisionit të njohur të RAI-t, “Report”.
Sipas mediave italiane, masa e arrestit është lëshuar nga Gjykata e Romës në kuadër të hetimeve të Prokurorisë, e cila dyshon se biznesmeni ka organizuar sulmin ndaj gazetarit.
Sipas hetuesve, Lavitola dyshohet se ka ideuar planin dhe ia ka besuar bashkëpunëtorit të tij, Klesio Gomez Tavares, detyrën për të gjetur personat që do të kryenin atentatin dhe për të siguruar lëndën shpërthyese.
Ngjarja ndodhi në tetor të vitit 2025, pranë banesës së Ranuccit në Pomezia, në zonën e Romës. Eksplozivi shkaktoi dëme, ndërsa gazetari nuk mbeti i lënduar.
Katër persona të tjerë, të dyshuar si ekzekutorët që vendosën lëndën shpërthyese, ndodhen tashmë në burg. Ata akuzohen për përdorim të lëndëve shpërthyese, kërcënim dhe dëmtim, ndërsa hetuesit dyshojnë se veprimet janë kryer me metoda mafioze.
Sipas Prokurorisë, para atentatit, dy prej të dyshuarve kanë kryer edhe vëzhgime pranë banesës së gazetarit. Për zbardhjen e ngjarjes janë përdorur tabulatet telefonike, gjurmimi i automjeteve dhe ekspertiza e telefonave celularë.
Autoritetet italiane pretendojnë se këto të dhëna kanë dobësuar alibitë e paraqitura nga të dyshuarit dhe kanë ndihmuar në rindërtimin e lëvizjeve të tyre para dhe pas sulmit.
Lavitola i ka mohuar akuzat. Në deklarimet e tij, ai ka theksuar se ishte mik i Ranuccit dhe ka kundërshtuar çdo përfshirje në atentat.
Biznesmeni pritet të merret në pyetje gjatë vijimit të procedurës. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e mundshëm të sulmit dhe rolin që dyshohet se ka pasur secili prej personave të përfshirë.
Hetimet për tritolin që shpërtheu jashtë shtëpisë së Gazetari investigativ italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit “Report”, tetorin e kaluar, kanë marrë një kthesë të re dhe befasuese. Pas arrestimit të katër autorëve të dyshuar javën e kaluar, një tjetër emër ka dalë në skenë që dyshohet dyshohet se mund të jetë porositësi i atentatit, duke lënë të befasuar edhe vetë gazetarin.
Bëhet fjalë për Valter Lavitola, ish-botues dhe biznesmen, i dënuar më parë për tentativë shantazhi ndaj ish-kryeministrit Silvio Berlusconi./ZËRI