Bota

Ambulancat në Ibiza në prag kolapsi: Klubet e natës, droga dhe turizmi luksoz po rëndojnë shërbimet publike

Sipas një studimi të El Diario de Ibiza, Ibiza është sot destinacioni i tretë më i shtrenjtë në Mesdhe, pas Saint-Tropez dhe Capri-t.

f.g
Ambulancat në Ibiza në prag kolapsi: Klubet e natës, droga dhe
Foto ilustruese

Shërbimi i ambulancës në Ibiza, një nga destinacionet më të njohura të jetës së natës në Evropë, po përballet me rrezik kolapsi, si pasojë e thirrjeve të shumta nga klubet, ku shpesh ndodhin incidente të lidhura me përdorimin e drogave rekreative.

Sipas José Manuel Maroto, president i sindikatës së shërbimeve shëndetësore, deri në një të tretën e të gjitha thirrjeve urgjente vijnë nga klubet e natës, shpesh me kapacitete deri në 10,000 persona. Vetëm një nga klubet kryesore, DC-10, ka zgjedhur të kontraktojë një shërbim ambulant privat.

“Është e papranueshme që biznese me të ardhura miliona euro në vit të mos sigurojnë ambulanca private, duke rënduar shërbimin publik në kurriz të qytetarëve vendas,” tha Maroto për elDiario.es.
“Banorët e Ibizës nuk mund të marrin një shërbim inferior për shkak të 3.6 milionë turistëve që vijnë çdo vit.”

Ibiza është kthyer në një "Mekë' për klubber-ët që nga fillimi i viteve ’80, duke ndërtuar një reputacion botëror me klube si Amnesia dhe Pacha, ndërsa sot numri i tyre është shumëfishuar. Së fundmi, u hap edhe klubi më i madh i ishullit, UNVRS, ku hyrja më e lirë kushton 100 euro dhe një pije mund të arrijë deri në 25 euro.

Në hapjen e tij mori pjesë edhe aktori i njohur i Hollivudit, Will Smith, duke theksuar edhe më shumë fokusin në emra të mëdhenj dhe shfaqje luksoze.

Sipas të dhënave të qeverisë rajonale, 1.5 euro nga çdo 10 që shpenzon një turist në Ibiza shkon në pistën e kërcimit. Megjithatë, shumë vizitorë ankohen se skena e dikurshme alternative dhe spontane është kthyer në një industri të fokusuar vetëm te paratë dhe DJ-të e njohur me tarifa marramendëse.

Pasuria, droga dhe ndikimi i familjes Matutes
Sipas një studimi të El Diario de Ibiza, Ibiza është sot destinacioni i tretë më i shtrenjtë në Mesdhe, pas Saint-Tropez dhe Capri-t. Një pjesë e madhe e kësaj pasurie qarkullon në duart e familjes më të fuqishme të ishullit, familjes Matutes. Kompania e themeluar nga Abel Matutes, ish-futbollist dhe politikan, zotëron tre nga klubet më të mëdha të Ibizës: Ushuaïa, Hï Ibiza dhe UNVRS, si dhe dhjetëra hotele në Spanjë, Meksikë dhe SHBA.

Ndikimi i drogës: Një ekonomi e padeklaruar dhe rreziku për jetën
Droga mbetet një pjesë thelbësore e ekonomisë informale në ishull. Arrestimet janë të zakonshme, në një operacion të vetëm vitin e kaluar, u sekuestruan më shumë se një milion doza MDMA.

Një studim i publikuar në revistën European Psychiatry tregoi se midis viteve 2010 dhe 2016, në Ibiza ndodhën 58 vdekje të lidhura me drogën, nga të cilat 36% ishin të rinj britanikë.

Thirrje për ndërhyrje: Klubet duhet të mbulojnë kostot e ambulancave
Unioni i shërbimeve shëndetësore bën thirrje që klubet të detyrohen me ligj të kontraktojnë shërbime ambulantësh privatë, për të mos lënë popullsinë vendase pa mbulim shëndetësor në rastet emergjente.

“Kjo nuk është vetëm çështje logjistike, por drejtësie sociale. Nëse klubet s’ndërhyjnë, sistemi mund të shembet në kulmin e sezonit turistik,” përfundon Maroto. /Përshtati nga The Guardian, Zëri.al

Poll

MOS HUMB