SHBA-Sot, 25 vite pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, bota ende reflekton mbi këtë ngjarje të rëndë që ndryshoi historinë përgjithmonë. 11 shtatori nuk ishte vetëm një akt i paprecedent terrorizmi, por një moment që shënoi një epokë të re në marrëdhëniet globale. Terroristët arritën të shkatërrojnë Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe të dëmtojnë rëndë Pentagonin në Uashington. Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat në kullat binjake ishin 2 752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme.
Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin edhe tre shqiptaro-amerikanët: Simon Dedvukaj, Mon Gjonbalaj dhe Rrok Camaj. Dedvukaj, Gjonbalaj dhe Camaj ishin disa prej shqiptarëve që punonin në Qendrën Tregtare Botërore.
Ekspertët vlerësojnë se 11 Shtatori 2001, ndryshoi shumë gjëra në botë. Këto ngjarje u bënë shkak për nisjen e një fushate të gjerë kundër terrorizmit të udhëhequr nga SHBA-ja.
Kronologjia e ngjarjeve
-Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.
-Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në New York. Pak minuta më vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në New York.
-Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.
-Ora 9:37 e mëngjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Uashingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.
-Ora 10:05 e mëngjesit. Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë qytetin e New Yorkut.
-Ora 10:10 e mëngjesit, Aeroplani i linjës United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin e Pensilvanisë.
-Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.
-Ora 10:28 e mëngjesit, Kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, rrëzohet! Kullat e famshme binjake të Nju Jorkut,nuk janë më.
-Ora 10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuohen.
-Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore, United Airlines konfirmon se aeroplani me numër fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles është rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit. Më pas mësohet se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.
Në nëntor të vitit 2001, Shtetet e Bashkuara, me sulme të furishme, larguan lëvizjen talebane nga pushteti në Afganistan. Atë kohë, Afganistani qeverisej nga talebanët, të cilët kishin aleancë me Al Qaedën. 25 vite më vonë, në vendin ku ngriheshin Kullat Binjake, qëndron vetëm një ndërtesë, e njohur si Kulla e Lirisë.