GREQI- Hetimet për zhdukjen e 50-vjeçares kineze Yu Ting në Greqi kanë marrë një tjetër kthesë, pas gjetjes së pasaportës së saj të copëtuar në zonën e Galatsit, në Athinë. Bëhet fjalë për 5-vjeçaren kineze, e cila rezulton se kishte shfaqur interes për investime në Shqipëri.
Sipas mediave greke, dokumenti i udhëtimit u gjet në Galatsi Grove dhe po shqyrtohet në laboratorët mjeko-ligjorë, ndërsa telefoni i saj celular ishte gjetur më parë në një vendndodhje tjetër. Pasaporta e u gjet e prerë në shirita të hollë. Gjendja në të cilën u gjet pasaporta mendohet se tregon se ajo kishte qëndruar në vend për një kohë të konsiderueshme.
Në të njëjtën kohë, u krye një kërkim në zonën e Galatsit, me autoritetet që kërkonin çdo provë tjetër që mund të lidhej me zhdukjen e Yu Ting. Gjetja e dokumentit, vjen në një kohë ndërsa çështja i afrohet katër muajve që nga zhdukja e 50-vjeçares.
Zhdukja misterioze
Ajo u pa për herë të fundit më 20 maj 2026 në Artemida, ku jetonte me bashkëshortin e saj grek. Mësohet se ditën e zhdukjes, Yu Ting ishte larguar nga shtëpia e saj në Artemida në orën 10:05 të mëngjesit, me destinacion qendrën e Athinës, por humbi gjurmët pasi zbriti nga autobusi.
Hetimet në Greqi
Bashkëshorti i 50-vjeçares, Vasilis Karavasilis, ka shprehur publikisht dyshime se Yu Ting mund të mos jetë larguar vullnetarisht. Ai ka hedhur në diskutim mundësinë e një rrëmbimi apo vrasjeje, ndërsa deri në këtë fazë autoritetet greke nuk kanë bërë të ditur ndonjë përfundim zyrtar mbi fatin e saj.
Hetimi për zhdukjen e Yu Ting mbetet plotësisht në vazhdim, me autoritetet greke dhe kineze, si dhe Interpolin, që punojnë për të mbledhur prova që mund të hedhin dritë mbi atë që i ndodhi asaj.
Hetuesit po analizojnë edhe itinerarin që Yu Ting dyshohet se ka ndjekur përgjatë Rrugës Patission, pranë Sheshit Amerikis, ku është regjistruar gjurma e saj e fundit e njohur. Zona ka marrë rëndësi të veçantë në hetim, pasi pikërisht aty u gjet më herët telefoni celular i 50-vjeçares, rreth 2.5 kilometra larg vendit ku u zbulua pasaporta e saj e copëtuar.
Lidhja e saj me Shqipërinë...në qendër të vëmendjes
Nga hetimet paraprake, rezulton se Yu Ting ka pasur një leje qëndrimi një-vjeçare në Shqipëri, të lëshuar më 17 janar 2026 nga strukturat e kufirit dhe migracionit në Vlorë. Bëhet fjalë për një dokument, që sipas raportimeve të mediave greke, lidhej me interesin e saj për investime në Shqipëri. Ky element ka shtuar një tjetër pistë në hetim, me autoritetet që po përpiqen të zbulojnë nëse 50-vjeçarja kishte krijuar kontakte apo marrëdhënie biznesi në Shqipëri që mund të kenë rëndësi për zbardhjen e zhdukjes.
Në televizionin grek MEGA është raportuar pista që lidhet me zonën e Bogovës, ku interesi i Yu Ting lidhej me burimet e ujit. Sipas një agjenteje shqiptare e pasurive të paluajtshme ka deklaruar se një klient nga Kina kishte shfaqur interes për gjetjen e një zone ku mund të ndërtohej një fabrikë për ambalazhimin e ujit. Sipas saj, 50-vjeçarja kineze ka vizituar Shqipërinë në dy raste për të parë mundësitë e këtij investimi.
Takimi para zhdukjes
Raportimet nga Greqia përmendin edhe një takim që ka ndodhur vetëm disa ditë përpara se Yu Ting të humbte gjurmët. Në këtë takim, sipas dëshmive të bëra publike, dyshohet se kanë marrë pjesë 50-vjeçarja kineze, një agjente shqiptare e pasurive të paluajtshme, një shtetas kinez, një prift dhe një ish-punonjës i policisë. Biseda mes tyre, sipas asaj që është raportuar, lidhej me mundësi biznesi, prona dhe investime.
Motra e 50-vjeçares ka treguar për mediat greke se Yu Ting i kishte përmendur Shqipërinë dhe i kishte thënë se dëshironte të vizitonte disa parcela toke. Këto dëshmi kanë shtuar interesin e hetuesve për të verifikuar aktivitetin dhe kontaktet e saj në Shqipëri. Megjithatë, deri në këtë fazë, nuk është bërë publike asnjë provë që të tregojë se interesat e saj për prona apo investime kanë lidhje me zhdukjen.
Zhdukja e Yu Ting mbetet ende pa një përgjigje përfundimtare, ndërsa hetimet vijojnë. Pas gjetjes së pasaportës së saj të copëtuar, hetuesit kanë në dispozicion një tjetër gjurmë që mund të ndihmojë në rindërtimin e lëvizjeve të saj pas largimit nga Artemida më 20 maj.
Telefoni i gjetur në Athinë, dokumenti i identifikimit, takimet e saj në ditët para zhdukjes dhe interesat për prona e investime, përfshirë edhe ato në Shqipëri, janë tashmë ndër pistat kryesore që po verifikohen nga hetuesit. Megjithatë, deri më tani, fati i 50-vjeçares kineze mbetet ende një mister./ZËRI