Qytetërim

Avokati rrëfen momentin prekës me fëmijët e Liridonës dhe zbulon kërkesën e tyre: Një rrobë me emrin...

Në një reagim publik, avokati ka treguar se gjatë procesir gjyqësor, fëmijët e Liridonës, Dioni dhe Diari, kishin kërkuar që një rrobë me emrat e tyre të dërgohej te varri i nënës.

zh.ll
Avokati rrëfen momentin prekës me fëmijët e Liridonës
foto ilustrim: liridona ademaj dhe dy djemte e saj te mitur

KOSOVË- Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, ka reaguar pas konfirmimit të vendimit në shkallë të dytë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, teksa ndarë edhe një rrëfim prekës për fëmijët e saj.

Në një reagim publik, avokati ka treguar se gjatë procesir gjyqësor, fëmijët e Liridonës, Dioni dhe Diari, kishin kërkuar që një rrobë me emrat e tyre të dërgohej te varri i nënës. Ai ka treguar gjithashtu për një takim me njërin prej djemve të Liridonës, Dionin, i cili e kishte falënderuar për angazhimin e tij si avokat i familjes.

Postimi i plotë:

Emocion i papërballueshëm, qoftë edhe për një avokat që duhet të qëndrojë i ftohtë për hir të profesionit.

Retro: Gjatë procesit gjyqësor, na erdhi një mesazh nga fëmijët e Liridonës, Dioni e Diari, se duan që këtë rrobë të tyrën me emrat e tyre në të t’ia dergojnë te varri të ëmës. Procesi veçse kishte filluar e udhëtimi i tyre për në Kosovë dukej vite drite larg në horizontin e dëshirës së tyre. Sidoqoftë, rroba u dërgua tek varri, dhe fotografitë ngushëlluese ju dërguan dy ëngjujve të Liridones.

U kaplova nga emocionet dhe merzia e tyre që mu transmetua me apo pa dëshirën time. Duhej vendimi i plotëfuqishëm gjyqësor që të hapte rrugën e besimit të tyre familjes së Liridonës.

Më kaploi një ndjenjë përgjegjësie e barre që të thyen krahë e kocka, të dërrmon shpirtin e të struk në pafuqi si një grimcë dheu para uraganit.

Sidoqoftë, asnjeherë nuk humba shpresën që nuk isha vetëm. Shpresova në Gjyqësor, e Prokurori, sepse Policia veçse e kishin kaluar testin e tyre që më kohë (kishin zbuluar rastin në afat rekord e kishin mbledhur provat e mjaftueshme për t’u ngritur aktakuzë e për t’u dënuar të gjithë të dyshuarit).

Secila seancë sa sqaronte situatën, aq shtonte presionin për atë që prisnin nga ne Dioni e Diari. Vendimi në shkallë të parë u dha.

Në një ambient të përshtatshëm pata mundësinë ta takoj Dionin. “Faleminderit” më tha, duke më njohur si avokat të së ëmës e të tyrin për çështjet në Suedi. U kaplova nga lotët, por u kurseva nga sytë e tij. Nuk kisha mundësi të bëja më shumë sesa ta përqafoja fort e t’i përkëdhelja kokën e ëmbël, që do të doja shumë të ndërrohesha në atë moment me atë që nuk është në mesin tonë (qoftë edhe vetëm për nje qast).

Sot, u vulos verdikti në shkallë të dytë. Shpresoj që shpejtë Dioni e Diari do të mund të afrohen edhe fizikisht me Liridonën, e t’i sjellin lulet që i kanë përgatitur shumë kohë më parë.

I falënderoj të gjithë ata Gjyqtarë të guximshëm që dhanë këto dënime, organet e ndjekjes, Prokurorinë e hetuesit policorë, ekspertët e secilin profesionist tjetër për punën e tyre.

Media të dashura, gazetarë e shoqëri civile, ju që për hir të rëndësisë e delikatesës së rastit, hoqët dorë nga rivaliteti me njëra tjetrën, që u kujdesët për rastin më shumë se për lajmin, e ndjej pafuqinë time për të shprehur mirënjohjen që ju takon.

Kolegë avoketër, miq, e dashamirë, e në përgjithësi popull i dashur shqiptar e përtej tij, nuk mund të shpreh mjaftueshëm mirënjohjen për dashurinë dhe mbështetjen e parezervë që kam marrë nga ju.

Ishte vetëm një rast në aspektin procedural penal. Por poashtu tregoi se as një i “ashtuquajtur” keshilltar politik, as një “ushtar i rregullt” e as një i paguar e i premtuar se do të mbrohej nga të fortët, nuk është i paprekshëm nga zbatimi i së drejtës dhe fuqisë së ligjit.

Lufta për drejtësi duhet dhe do të vazhdojë. Kjo kauzë ju bëftë dritë e përjetshme Liridonës, qetësi shpirtërore dy engjëjve e familjes së saj.

Në anën tjetër mësim e ndëshkim kriminelëve që nuk treguan asnjëherë keqardhjen më të vogël gjatë gjithë këtij procesit gjyqësor.

“Drejtësia e shpërblimi nuk janë të lehtë e të lirë për tu arritur dhe ndëshkimi e dënimi nuk është të pavend e të panevojshëm për t’u dhënë.”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023. Trupa gjykuese gjeti fajtor Naim Murselin, i cili akuzohet se planifikoi vrasjen e nënës së dy fëmijëve të tij me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj i jetës si shtetase suedeze, një vlerë rreth 260 mijë euro, ngjarje e ndodhur në 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë, teksa udhëtonin me dy fëmijët e mitur. Avokatët e të akuzuarve thanë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kanë kryer veprat penale. Murseli pagoi Plavën 30 mijë për të kryer vrasjen duke i siguruar edhe armën. Sipas prokurores së çështjes, Javorka Përlinçeviç, Naimi e ka mbajtur përkrahu Liridonën që ajo të mos i shpëtonte plumbit, një ngjarje e rëndë para syve të fëmijëve të mitur. /ZËRI

MOS HUMB