HAGË-Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 17 nëntor, në orën 10:00, vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë për ndërhyrje të dyshuar te dëshmitarët në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në këtë çështje Thaçi akuzohet se ka tentuar të ndikojë në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Bashkë me ish-presidentin janë të akuzuar edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Prokuroria e Specializuar ka kërkuar dënimin e Thaçit me gjashtë vjet burg, ndërsa për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun ka propozuar nga tre vjet burgim. Për Hajredin Kuçin është kërkuar një dënim prej nëntë muajsh. Avokatët e ish-presidentit kanë kërkuar shpalljen e tij të pafajshëm, duke argumentuar se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur një vendim dënimi.
Në qendër të çështjes janë dyshimet se gjatë vitit 2023, ndërsa ndodhej në paraburgim, Thaçi u ka transmetuar personave që e vizitonin informacione të klasifikuara lidhur me dëshmitarët e procesit gjyqësor. Sipas Prokurorisë, këto komunikime synonin të ndikonin në dëshmitë e tyre, ndërsa në veprimtarinë e pretenduar dyshohet se janë përfshirë edhe të akuzuarit e tjerë.