
Një defekt në rrjetin e Microsoft shkaktoi ndërprerje të gjera në shërbimet digjitale të kompanisë duke lënë miliona përdorues në të paktën 70 vende pa akses në platformat që përdorin për punë dhe komunikim.
Pas afro 24 orësh me probleme, kompania reagoi publikisht duke kërkuar ndjesë për vështirësitë e krijuara. Ndër shërbimet e prekura ishin Outlook, Teams dhe Copilot ndërprerja e të cilave solli pasoja në aktivitetin e bizneseve institucioneve dhe përdoruesve individualë.
Microsoft bëri të ditur se shkaku i incidentit lidhej me një ndryshim të mëparshëm në kapacitetin e rrjetit. Kompania hodhi poshtë mundësinë që ndërprerja të ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik apo nga sistemet e inteligjencës artificiale.
Pas ndërhyrjeve teknike shërbimet nisën të riktheheshin gradualisht në funksion. Megjithatë, ndërprerja kishte krijuar tashmë vështirësi të konsiderueshme në aktivitetin e përditshëm të shumë përdoruesve.
Në Mbretërinë e Bashkuar ministri përgjegjës për sigurinë kibernetike e konsideroi incidentin shqetësues, duke iu referuar ndikimit që një ndërprerje e tillë mund të ketë në funksionimin e sistemeve dhe shërbimeve.
Pasojat u shtrinë edhe në aktivitetin tregtar. Në Afrikën e Jugut prodhuesi i verës Peter Pentz raportoi se kishte mbetur pa komunikim me eksportuesit, ndërsa në Londër disa punonjës u larguan nga zyrat pasi pamundësia për të përdorur postën elektronike kishte bllokuar punën e tyre./ZËRI