Bota

CEO i Nvidia-s në telashe të dyfishta: Pas 'spiunes' kineze, zbulohet lidhja me një drejtuese të kompanisë

Jensen Huang dyshohet se ka pasur gjithashtu një lidhje me Kimberly Powell, 48 vjeçe, zëvendëspresidente e kompanisë për sektorin e shëndetësisë

F.I
CEO i Nvidia-s në telashe të dyfishta: Pas 'spiunes' kineze,
Jensen Huang

SHBA-Bordi i gjigantit të teknologjisë Nvidia po shqyrton mundësinë e shkarkimit të drejtorit ekzekutiv të saj, Jensen Huang, shkruan BBC. Teksa Nvidia ka nisur tashmë një hetim për një aferë midis Huang dhe një spiuneje të dyshuar kineze, Alice Huang, CEO i kompanisë dyshohet për një lidhje të dytë jashtëmartesore. 

Jensen Huang dyshohet se ka pasur gjithashtu një lidhje me Kimberly Powell, 48 vjeçe, zëvendëspresidente e kompanisë për sektorin e shëndetësisë. Huang dhe Powell dyshohet se janë filmuar afër me njëri-tjetrin në një hotel në San Jose të Kalifornisë, gjatë konferencës së Nvidia-s në muajin mars. Në fund të tetorit, të dy morën pjesë edhe në konferencën GTC të kompanisë në Berlin të Gjermanisë. Megjithatë, në të njëjtën periudhë, Powell është parë duke ekspozuar unazën e fejesës.

Nëse konfirmohet, marrëdhënia e pretenduar do të përbënte shkelje të kodit të etikës së Nvidia-s, i cili u kërkon punonjësve të shmangin situatat që krijojnë konflikt interesi, përfshirë marrëdhëniet personale. Kompania parashikon gjithashtu hetimin e menjëhershëm të çdo raportimi për sjellje të papërshtatshme.

Zbulimet e fundit kanë ndikuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e Nvidia-s ranë me rreth 8% në tregtimin pas mbylljes së bursës, ndërsa kompania ka humbur më shumë se 300 miliardë dollarë në vlerë tregu që prej publikimit të lajmit për lidhjen e dyshuar me Alice Huang. Jensen Huang, i cili është i martuar me gruan e tij, Lori, që nga viti 1985, pranoi në një email drejtuar punonjësve të dielën se kishte një lidhje jashtëmartesore dhe se do të bashkëpunonte me një hetim të brendshëm. 

E ardhmja e Huang në krye të gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia është vënë në pikëpyetje. Sipas raportimeve të mediave amerikane, bordi drejtues i Nvidia-s është mbledhur për të diskutuar pozicionin e Huang si drejtor ekzekutiv, ndërsa aksionet e kompanisë kanë pësuar rënie të ndjeshme pas publikimit të këtyre pretendimeve.

Lidhja jashtëmartesore me Alice Huang

Huang ka pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me Alice Huang, një biznesmene kineze të lidhur me kompaninë Megaspeed, me seli në Singapor. Vetë Jensen Huang pranoi se kishte qenë ‘i pabesë’ ndaj bashkëshortes së tij, duke kërkuar falje për dhimbjen që, sipas tij, u ka shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre.

Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, është një biznesmene kineze, e dyshuar nga autoritetet amerikane si bashkëpunëtore e inteligjencës kineze. Ajo ka qenë drejtuese në kompaninë singaporiane Megaspeed International, e cila merret me infrastrukturën kompjuterike për inteligjencën artificiale dhe ka blerë miliarda dollarë pajisje me procesorë NVIDIA. Sipas raportimeve të The New York Times, inteligjenca amerikane dyshon se Alice Huang ishte rekrutuar nga Ministria e Sigurisë Shtetërore të Kinës për të mbledhur informacione mbi Jensen Huang dhe për të ndikuar në qëndrimin e tij lidhur me shitjen e procesorëve të avancuar amerikanë në Kinë.

MOS HUMB