Aktualitet

Zjarret nga jugu në veri, Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra në 24 orët e fundit, 11 ende aktive

Sipas Mbrotjes, operacioni më i vështirë po vijon në Lurë të Dibrës, ku po vijon ndërhyrja nga ajri në zonat ku zjarri paraqet intensitet pavarëisht se është vënë nën kontroll perimetri pranë banesave të banuara.

zh.ll
Zjarret nga jugu në veri, Ministria e Mbrojtjes: 29 vatra në 24
Foto ilustruese

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se në 24 orët e fundit janë 29 vatra zjarri nga të cilat 11 vatra aktive, 3 monitorim dhe 4 nën kontroll.

Sipas Mbrotjes, operacioni më i vështirë po vijon në Lurë të Dibrës, ku po vijon ndërhyrja nga ajri në zonat ku zjarri paraqet intensitet pavarëisht se është vënë nën kontroll perimetri pranë banesave të banuara.

Mbrojtja bën me dije se operacionet vazhdojnë në angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ku janë të përfshirë automjet zjarrfikëse, autobote, ambulanca, helikopterë dhe avionë.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Mbrojtjes informon se, gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 29 vatra zjarri nga të cilat 11 vatra aktive, 3 monitorim dhe 4 nën kontroll.

Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë i strukturave të Mbrojtjes Civile, me 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake/AdZM/Shërbimi Pyjor/ASHP, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.

Janë angazhuar gjithashtu 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa FA ka vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

* Dajt, Tiranë – Vijon puna në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Edhe në Priskë e Madhe nuk raportohet rrezik për banesat.

* Përmet, Gjirokastër – Mbeten aktive vatrat në malin e Nëmerçkës dhe në malin Dhëmbel. Terreni paraqitet i vështirë, ndërsa forcat zjarrfikëse, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët po vijojnë punën për izolimin e tyre. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Falë ndërhyrjes së forcave është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre. Nga ajri kanë operuar 2 avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera ku zjarri ruan intensitet.

* Qafa e Helmes, Bulqizë–Dibër – Vatra vijon aktive në terren pyjor, me angazhimin e 10 efektivëve të MZSH-së, 6 forcave bashkiake dhe 6 forcave nga njësia administrative Selishtë.

* Trojë, Mirditë – Për izolimin e vatrës janë angazhuar 13 efektivë të MZSH-së me 3 automjete zjarrfikëse, 36 forca bashkiake, 3 policë, 20 vullnetarë, si dhe 2 automjete zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së.

* Shkodër – Vijojnë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre; në Goraj-Budishtë nuk ka rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.

* Elbasan – Mbeten aktive vatrat në Dardhë, bashkia Librazhd, ku operojnë MZSH, forcat pyjore dhe bashkiake, si dhe në Shalës, bashkia Cërrik. Në Dardhë nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në tërësi, operacionet vijojnë me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në disa prej zonave më të ekspozuara është bërë e mundur mbrojtja e banesave dhe kufizimi i përhapjes së zjarrit.

AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën dhe të koordinojë angazhimin e kapaciteteve sipas nevojës.

Poll

MOS HUMB