TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit për situatën e zjarreve në vend, duke njoftuar se deri në orën 20:00 të kësaj të marte janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë të jenë aktive dhe 5 të tjera janë nën monitorim.
Sipas Ministrisë, gjatë ditës në operacione janë angazhuar 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 20 efektivë, një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”.
Fokusi kryesor mbetet në Malin e Dajtit, ku vijojnë aktive disa vatra në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës. Ministria bën me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Vatra aktive raportohen edhe në Ballenjë dhe Qafë të Helmës në Bulqizë, ndërsa në Malin e Dardhës në Librazhd zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7-8 hektarësh.
Ndërkohë, vatrat në zonën Gjegjan-Gojan-Prozhëm-Tërbun në Pukë janë izoluar dhe vijon vetëm monitorimi.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin, ndërsa forcat operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje aty ku nevojitet.
NJOFTIM:
Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve
(25 Gusht 2026 - ora 20:00)
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00 të datës 25 gusht 2026, në rang vendi janë raportuar 24 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive, ndërsa 5 vatra janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet e zhvilluara gjatë ditës janë angazhuar në total 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 20 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Fokusi kryesor vijon të jetë në Malin e Dajtit, ku vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës mbeten aktive. Në operacion janë angazhuar 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të FA-së dhe 7 forca të ADZM-së, me mbështetje të fuqishme nga ajri me 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Ballenjë, ku operojnë 5 forca të ADZM-së, si dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, ku vijon monitorimi me 4 efektivë të MZSH-së. Në të dyja rastet nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Në Malin e Dardhës, Librazhd, vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore të përshkruar prej rreth 7–8 ha dhe në terren vijojnë të operojnë efektivët e MZSH Librazhd; nuk rrezikohen banesa.
Ndërkohë, vatrat në Gjegjan–Gojan–Prozhëm–Tërbun, Pukë, tashmë janë izoluar dhe nuk ka vatra aktive, duke vijuar vetëm monitorimi.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI