TIRANË- Vijon për të 87-ën ditë radhazi protesta qytetare në Tiranë, e cila nisi më 31 maj, pas incidenteve të regjistruara në Zvërnec.
Protestuesit janë mbledhur edhe këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, me pankarta dhe thirrje të ndryshme.
Prej javësh, protesta ka mbledhur qytetarë të shumtë, të cilët janë bashkuar rreth kërkesave të përbashkëta.
Pas mbërritjes përpara godinës së Kryeministrisë, pritet që protestuesit të mbajnë fjalimet e tyre, ndërsa protesta do të vijojë edhe gjatë mbrëmjes.
Kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI