Aktualitet

Zjarret në vend/ 10 vatra aktive, situata më problematike paraqitet në Lurë

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar qindra forca nga toka, ndërsa ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri.

M.K.
Zjarret në vend/ 10 vatra aktive, situata më problematike paraqitet
foto nga zjarret

TIRANË- Dhjetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile po vijojnë operacionet për shuarjen dhe vënien nën kontroll të flakëve. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar qindra forca nga toka, ndërsa ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri.

Në total, janë në ndjekje 13 vatra zjarri, prej të cilave 10 janë aktive, 2 nën kontroll dhe një është shuar plotësisht. Në zonat e raportuara, autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes informon se, gjatë orëve të fundit, në territorin e vendit janë në ndjekje 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive, 2 janë nën kontroll dhe 1 është shuar plotësisht. Pavarësisht terrenit të vështirë dhe kushteve të pafavorshme në disa zona, vijon angazhimi i koordinuar i strukturave të Mbrojtjes Civile nga toka dhe ajri.

Në Lurë, Dibër, ku paraqitet një nga situatat më të rëndësishme, vijon operacioni me 200 forca bashkiake, 50 efektivë të FA-së, 15 efektivë të Policisë së Shtetit, 18 vullnetarë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 avionë Air Tractor. Ndërhyrja ka mundësuar kontrollin e zjarrit në segmentin pranë banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, ku forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll pjesë të saj.

Në Tiranë, vijon puna në Malin e Dajtit, me 9 forca të ADZM-së dhe 2 helikopterë të FA-së, ndërsa në Priskë dhe Farkë operojnë 30 forca të MZSH-së me 6 mjete. Situata në Priskë-Farkë paraqitet nën kontroll dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë dhënë rezultat në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Gjatë ditës është përdorur mbështetja ajrore e FA-së, ndërsa në Zidoll, pas ndërhyrjes së helikopterit, situata është normalizuar dhe po punohet për izolimin dhe fikjen e plotë.

Në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna dhe monitorimi i vatrave të mbetura. Në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut po favorizojnë normalizimin e situatës, ndërsa vatra në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht. Në të gjitha zonat e raportuara nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara.

AKMC, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon ndjekjen e situatës dhe koordinimin e kapaciteteve operacionale, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe kufizimin sa më të shpejtë të vatrave aktive./ZËRI

Poll

MOS HUMB