TIRANË- Siciljan Cakraj është arrestuar nga forcat operacionale në zonën e Astirit, në Tiranë, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari të paligjshme të lidhura me trafikimin e drogës. Pas arrestimit, Cakraj pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurisë.
Siciljan Cakraj është djali i Petrit Cakraj, i cili ndodhet në qeli në lidhje me hetimet për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës. Për këtë ngjarje, Petrit Cakraj dyshohet se është përfshirë së bashku me vëllezërit Bushgjoka.
Hetimet për aktivitetin për të cilin është arrestuar Siciljan Cakraj vijojnë, ndërsa pritet që në seancën gjyqësore të dalin më shumë detaje lidhur me akuzat ndaj tij.
Renis Dobra, 23 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti buzë liqenit. Motivi i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.
