Aktualitet

Zgjidhje nuk ka! Qytetarët zhvaten çdo ditë nga mikrokreditë, BSH mbyll veshët

Pra...shkurt e shqip zgjidhje për momentin nuk ka!

k.m.
Zgjidhje nuk ka! Qytetarët zhvaten çdo ditë nga
Gent Sejko

TIRANË- Final, MCA dhe tani fondi "Besa"! Një tjetër skemë mashtrimi, e zbuluar nga ZËRI, është provuar zyrtarisht nga Prokuroria e Tiranës. Në rastin e denoncuar nga ZËRI, të prekur ishin qindra banorë të Nishtullës, ndërsa në rastin e hetuar nga Prokuroria vetëm 11, të paktën të provuar...por megjithatë skema ishte e njëjta.

Mesa duket, për sa kohë mediat si ZËRI publikojnë me fakte dhe me dëshmi skandale që po shkaktojnë drama sociale, të paktën një institucion i ka sytë katër...e fatkeqësisht, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Bankën e Shqipërisë. Ka më shumë se 6 muaj që ZËRI po ndjek çështjen e mikrokredive, duke u bërë një dritare ku së paku qytetarët mund të thonë fjalën e tyre për padrejtësinë që u bëhet nga institucionet mikrofinanciare. Por vetëm kaq! Skemë pas skemë është zbuluar dhe Banka e Shqipërisë në asnjë moment nuk gjen asnjë gabim tek veprimet e saj, por detyrohet që të veprojë vetëm kur Prokuroria del me një urdhër, të shkruar e zeza në të bardhë. Për muaj me radhë, ZËRI denoncoi mashtrimet, lidhjet dhe konjukturat e MCA dhe Final, e në çdo përgjigje të Bankës së Shqipërisë shkruhet: Nuk revokojmë licensën sepse duam t'i mbajmë në monitorim.

Kur Prokuroria e Tiranës doli me urdhër-arrestet e para, pse u bë heqja e licensës, çfarë ndyshoi? Apo ishte thjesht një reagim sa për statistikë. Kanë kaluar disa javë dhe të prekurit nga këta mashtrues as nuk dinë ku të drejtohen për ankesat e tyre.

Madje në një rast, "Ladi", një nga personazhet që kanë denoncuar zhvatjen nga këto institucione, ka ndjekur rregullat e përcaktuara nga Banka e Shqipërisë për të bërë ankesën e tij, por nuk është pranuar as të hyjë në institucion. Kujt t'i drejtohet Ladi për të marrë një përgjigje? Edhe banorët e Nishtullës ngritën zërin për mashtrimin që u ishte bërë, por sërish nuk pati asnjë reagim. Ditët dhe muajt kalojnë, interesat e këtyre kredive rriten dhe qytetarët nuk marrin asnjë zgjdhje. Deniz Deralla, drejtor i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë u dha një këshillë qytetarëve dje, duke u kërkuar të mbajnë mandat-pagesat për t'i përdorur në një moment të dytë. 

“30 mijë janë klientët e MCA dhe Final. 90% e tyre kanë një titull ekzekutiv dhe janë në procedurë përmbarimore. Të tjerët janë pjesë e rishikimit nga ana jonë nëse ata ankohen apo bëjnë një kërkesë të tillë. Apeli që vlen është që këta individë të ruajnë mandat-pagesën, pasi mund të jetë e vlefshme në një moment të dytë, nëse do të duan të rishikojnë kushtet e kredisë. Ndërsa ata që kanë një titull ekzekutiv, i sugjerojmë që t’i drejtohen organeve kompetente të drejtësisë, në rast se mendojnë se detyrimet e tyre janë kalkuluar në mënyrë abuzive. Në çdo rast detyrimet do të paguhen rregullisht në llogaritë bankare të këtyre institucioneve. Bankat nuk janë të detyruara që t’i rimarrin. Por mendoj se ato kredi që kanë ecuri pozitive nuk ka arsye pse të mos i pranojnë. Ne jemi duke negociuar me ta. Ndërsa për ato kredi që janë dhënë nga dy kompanitë mbetet për tua parë se si do të shkojnë hetimet dhe vendimet që do të nxjerrë gjykata,"- tha Deralla.

Pra...shkurt e shqip zgjidhje për momentin nuk ka! Me qershorin, vjen korriku dhe gushti, pushimet e verës, qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë teksa Banka e Shqipërisë mendon për një zgjidhje. Këtë të fundit duhet ta kishte gati në sirtar për çdo rast për të shmangur çdo cënim të financave, sidomos në një shkallë kaq të madhe. Vetëm në dy institucione janë 30 mijë persona që kanë marrë kredi, po gjithsej? A thua se vendi ynë nuk ka një precedent të ngjashëm me mashtrimin dhe piramidatat?!

"Po bëjmë definimet ligjore, pasi është hera e parë që bëhet fjalë për një gjë të tillë. Problematika do të ketë, sidomos për ato raste që janë në përmbarim, pasi përmbaruesi del me lloj lloj teorish. Ato raste që janë dhënë vendim gjykatash dhe kanë kaluar në përmbarim, kjo krijon problematikë dhe duhet të jemi të qartë për këtë gjë. Por nga ana ligjore do të shohim se çfarë mund të bëjmë. Kjo është një punë do të të marrë kohë,"-tha Gent Sejko pak javë më parë.

Sa kohë do të marrë zoti Sejko? Sa kohë duhet të paguajnë padrejtësisht qytetarët? Sa kohë duhet të denoncojnë, ndërkohë që Banka vë gishtat në vesh dhe nuk i dëgjon? Duhet patjetër që të reagojë Prokuroria dhe të lëshojë urdhër-arreste që BSH të reagojë nga zori? Nuk mjaftojnë denoncimet që bëjnë media si ZËRI, Kapitali (Klodian Tomorri), Prapaskena, BoldNews, VoxNews dhe gazetarja Ola Xama?!

Zgjidhje nuk është të bllokohen përmbarimet në Kadastër, se këtë gjë e ka për detyrë vetëm shteti dhe qytetarët mund t'i drejtohen institucioneve të drejtësisë, zgjidhja duhet për këstet që po paguhen tani...tani teksa Sejko dhe ekipi i tij mendohen. Çdo ditë që kalon, paratë dalin nga xhepat e shqiptarëve dhe tani është momenti që Banka e Shqipërisë të reagojë seriozisht. Të dalë me një zgjidhje që për një herë të vetme është në anë të qytetarëve, viktimave të vërteta të kësaj historie. Çdo gjë tjetër, është thjesht neglizhencë dhe fitim kohe...

Siç tha edhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë po nuk e gjen dot vetë Sejko një zgjidhje, le të kërkojë ndihmë nga ChatGPT. Ndoshta e ndihmon.../ZËRI

Poll

MOS HUMB