
TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në raportimin e tij në Komisionin e Ekonomisë, është shprehur se mbyllja e MCA dhe FINAL, do të përkeqësonte situatën e kredimarrësve, pasi do të ishin totalisht në dorën e përmbaruesve. Sejko tha se Banka e Shqipërisë nuk ka tagër që të hetojë për mashtrimet financiare, dhe se te MCA ka kryer tre inspektime pas sinjalizimeve nga Ministria e Drejtësisë.
“Ne nuk kemi të drejtë të ndërrojmë statusin e kredisë, ne kemi serverin dhe rakordojmë, nëse një kredimarrës i mirë apo një kredimarrës i keq. Këta klientë kishin vite që nuk paguanin, dhe ndaj i kanë shitur te këto kompani, kështu ka nisur nevoja në vitin 2015.
E theksova, ne kemi rregulluar një aktivitet, revokimi i licensës nuk do ta zgjidhte problemin, detyrimi është titull ekzekutiv dhe klientët do të ndiqeshin nga përmbarimi. Ne nuk mund të ndërhyjmë aty. Veprimet mbikqyrëse janë të përcaktuara me rregullore, bazuar në kriteret e rriskut, ne kemi qenë te të gjitha këto kompani, është e pamundur që ne të kontrollojmë, ndoshta edhe çdo vit në këto kompani. Bazuar në kriteret që ne kemi, ne kemi bërë ekzaminimin e kësaj kompanie në vitin 2020, dhe kemi lënë disa rekomandime.
Niveli 4 i rriskut, nuk nënkupton revokimin e menjëherëshëm të licensës, ne shkuam për herë të dytë në 2022 dhe vumë re mosrespektimin e masave që kishim lënë. Ne nuk kishim informacion për mashtrimin e klientëve, ne kemi parë me ato rreziqe që sheh Banka qëndrore, të cilat rezultuan se kompania nuk ishte korrekte. Ne vendosëm pezullimin e licensës, dhe kompania nuk mund të blinte kredi të tjera, unë nuk jam inspektor, nuk e kam trurin kompjuter, që të jemi realistë.
Revokimi nuk do ta zgjidhte çështjen, ne nuk mund ti linim klientët në treg të lirë, në dorë të përmbaruesve. Pezullimi i licensës mund ta ketë përkeqësuar problemin, dhe përmbaruesit kanë bërë një konkurencë më të ashpër”, u shpreh Sejko.
/ZËRI