
TIRANË- Fati i më shumë se 30 mijë kredimarrësve të dy kompanive MCA dhe Final ende nuk është vendosur. Por deri atëherë, drejtori i Mbikqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla ka një këshillë për ta. Mbrëmjen e sotme, ai ishte i ftuar në emisionin "E-ZONE" dhe sqaroi se si do të vijohet më tej më këta klientë. Si fillim, ai këshilloi që të gjithë të mbledhin mandatpagesat që kanë bërë, të tjerët që kanë titull ekzekutiv, u sugjeroi që t'u drejtohen institucioneve të drejtësisë. Gjithashtu u shpreh se BSH aktualisht ka nisur negociatat me bankat e nivelit të dytë, në mënyrë që këto kredi të rikthehen në orgjinë.
“30 mijë janë klientët e MCA dhe Final. 90 % e tyre kanë një titull ekzekutiv dhe janë në procedurë përmbarimore. Të tjerët janë pjesë e rishikimit nga ana jonë nëse ata ankohen apo bëjnë një kërkesë të tillë. Apeli që vlen është që këta individë të ruajnë mandat-pagesën, pasi mund të jetë e vlefshme në një moment të dytë, nëse do të duan të rishikojnë kushtet e kredisë. Ndërsa ata që kanë një titull ekzekutiv, i sugjerojmë që t’i drejtohen organeve kompetente të drejtësisë, në rast se mendojnë se detyrimet e tyre janë kalkuluar në mënyrë abuzive. Në çdo rast detyrimet do të paguhen rregullisht në llogaritë bankare të këtyre institucioneve. Bankat nuk janë të detyruara që t’i rimarrin,. Por mendoj se ato kredi që kanë ecuri pozitive nuk ka arsye pse të mos i pranojnë. Ne jemi duke negociuar me ta. Ndërsa për ato kredi që janë dhënë nga dy kompanitë mbetet për tua parë se si do të shkojnë hetimet dhe vendimet që do të nxjerrë gjykata,”-tha Deralla.
Skandali me mikrokreditë:
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI