
TIRANË- Roan Brahimi mund të jetë vrarë nga shqiptarë! Ky dyshim që kanë autoritetet greke për ekzekutimin e Brahimit, aka Sidorel Prendi ka bërë që policia helene të kërkojë ndihmën e Policisë së Shtetit. Ndaj kanë vendosur në dispozicion të Policisë shqiptare pamjet e autorëve të vrasjes, të cilët janë kapur nga kamerat e sigurisë. Sipas "OraNews", oficeri i kontaktit në shtetin grek është në biseda të vazhdueshme me hetuesit shqiptarë për të sjellë identifikimin e dy personave që qëlluan mbi 32-vjeçarin duke i marrë jetën.
Duke marrë parasysh të shkuarën e tij kriminale, grekët kanë bindje se vrasja e tij është "porosi" nga Shqipëria, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që dy autorët të jenë vrasës me pagesë, por jo me kombësi shqiptare.
Sidorel Prendi ose i njohur edhe me emrin e tij të ri, Roan Brahimi u ekzekutua në sy të gruas së tij, Katerina Beqo 37 vjeç, dhe djalit të mitur, i cili ishte duke luajtur në parkun afër vendit të ngjarjes. Sipas gazetarit grek Vasili Lampropoulos, pas ngjarjeve në Shqipëri, Brahimi kishte qenë për një kohë të gjatë në Greqi, por ka lëvizur edhe në vende të tjera, më konkretisht në Spanjë, Itali dhe Francë. Por ka pasur dyshime edhe se vrasësit ndiqnin në mënyrë periodike partneren dhe fëmijën e tij në Greqi. Atje e gjetën me vigjilencën e ulët dhe e ekzekutuan. Prej dy vitesh, Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët./ZËRI