
DURRËS- 4 plumba i kanë marrë jetën 50-vjeçarit Pëllumb Meta në Shënavlash, i cili dyshohet se është vrarë nga vajza e tij 19-vjeçare. Policia ka marrë në pyetje nënën dhe dy vëllezërit e vajzës, pasi ka dyshime se ata mund të jenë përfshirë në krim.
Megjithatë qitja dyshohet se është bërë pikërisht nga vajza, të cilës i janë gjetur faktorë plotësues (gjurmë) në duar, ndërsa familjarëve të tjerë jo. Pas ngjarjes vajza pretendon se e ka fshehur armën në det, por policia vijon kontrollet rreth banesës, pasi dyshon se pistoleta është hedhur pikërisht aty.
Gjatë dëshmisë ajo tha se e ka kryer me gjakftohtësi krimin, pas një urrejtje të mbledhur prej kohësh.
“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë.
Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive.
Pas krimit e kam mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit”, tha ajo./ZËRI