Aktualitet

Ekzekutimi i shqiptarit në Greqi, urdhri erdhi nga burgu?

Mediat greke shkruajnë se autoritetet besojnë se urdhri për të vrarë Drobonikun ka ardhur nga burgu. Dyshohet se urdhrin për ekzekutim e ka dhënë ndonjë rival i tij.

D.XH
Ekzekutimi i shqiptarit në Greqi, urdhri erdhi nga burgu?
Thimi Droboniku

GREQI – Të tjera detaje mësohen në lidhje me ekzekutimin e shqiptarit Thimi Droboniku natën e kaluar në shtetin grek. Mediat greke shkruajnë se ka dyshime se urdhri për ta vrarë Drobonikun të jetë dhënë nga burgjet.

Sipas asaj që shkruan media helene “Enikos”, urdhëruesi i​vrasjes mund të jetë një i burgosur për trafik të lëndëve narkotike. Supozohet se ai mund të jetë një person i fuqishëm që operon në shit-blerjen e drogës. Edhe vetë viktima ishte një person me precedente të shumta penale, për vepra të rënda. Droboniku ka qenë në burg edhe së fundmi e pikërisht më 2023 ishte liruar nga qelia.

Si ndodhi vrasja në Paleo Faliro

60-vjeçari sapo kishte mbërritur jashtë shtëpisë së tij në rrugën Atlantos në Paleo Faliro. Ai ka zbritur nga biçikleta dhe më pas, sipas dëshmitarëve, është afruar pranë tij një burrë me fytyrë të mbuluar, i cili e ka qëlluar tre herë me pistoletë. Megjithatë, ishte vetëm një plumb që e goditi në gjoks dhe përfundimisht i shkaktoi vdekjen. 60-vjeçari u dërgua me urgjencë në Evangelismos, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë.

Sipas informacioneve, oficerët me përvojë që trajtojnë raste të ngjashme e kanë marrë me rezervë pistën se mund të kemi të bëjmë me vrasje me pagesë. Kjo, sepse mbi trupin e viktimës nuk ka breshëri plumbash, gjë që ndodh, kur ekzekutimi është porositur. Ndaj policia mendon se nuk bëhet fjalë për një vrasje të paguar, por për një shlyerje hesapesh me ndonjë person, me të cilin 60-vjeçari Droboniku ka pasur rivalitet.

Oficerët janë duke mbledhur prova për ngjarjen. Në këtë kontekst, po kërkohen video nga kamerat e sigurisë në zonë për të gjurmuar vrasësin. Sipas dëshmive, autori dyshohet se ka shkuar në vendngjarje në këmbë dhe është larguar në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, ajo që po shqyrtohet është nëse autori ka përdorur një mjet arratisjeje më pas. Konkretisht, përballë vendit ku vdiq 60-vjeçari ndodhet një park. Autoritetet besojnë se vrasësi është pritur nga ndonjë bashkëpunëtor aty, ka lënë vetë një motor ose një makinë për të ikur më pas.

Thimi Droboniku, 60 vjeç me origjinë nga Berati u ekzekutua në Paleo Falire të Greqisë. Dyshimet janë se vrasja e tij u bë për rivalitet në pazaret e drogës./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB