
KOSOVË- Naim Murseli, i cili akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj ka dhënë këtë të mërkurë për rreth 3 orë dëshminë e tij në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Raportohet se Murseli ka dhënë një dëshmi krejt ndryshe nga ajo që flitet në media por nuk janë dhënë detaje. Këtë e bëri me dije avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, e cila ka theksuar se Murseli ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes.
Teuta Zhinipotoku: Sot para Prokurorisë Themelore- departamenti për Krime te Renda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtim të veprës penale ‘Vrasje e Rëndë’ në bashkëkryerje nga neni 173 par 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe i pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale. Në të ardhmen kanë mbetur të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë dhe pas dëgjimit të tyre do t’ju informojmë lidhur me rrjedhën e procedurës dhe përmbajtjen e deponimeve të tyre.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Granit Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI