
TIRANË- Zamir Kalemi kishte ditë që vëzhgohej nga personat që i kishin vënë syrin që ta ekzekutonin. Momentin më të përshtatshëm kanë gjetur atë kur 42-vjeçari sapo kishte dalë nga spitali privat ku edhe po kurohej i vëllai, Andrea alias Adriatik Kalemi. Mbrëmjen e 12 janarit, pranë zonës së Selitës, një makinë i preu rrugën dhe qëlloi me breshëri automatiku mjetin e tij, por fatmirësisht Kalemi i shpëtoi atentatit. Sipas emisionit "Në Shënjestër", ekzekutorët duket se kanë patur një plan të organizuar dhe kanë pasur dijeni të detajuar rreth lëvizjeve të Zamir Kalemit, madje edhe informacionin që vëllai i tij ishte kthyer në Shqipëri dhe ishte i shtruar në një spital privat. Kjo pasi vetëm pak javë më parë ka pasur një përleshje me një shtetas egjiptian në burgun grek ku po vuante dënimin. I burgosuri tjetër kishte marrë urdhër për ta ekzekutuar, por nuk ia doli dot.
Kështu që, pasi kanë marrë vesh se vëllai i madh ishte në një spital privat, vrasësit i janë vënë pas Zamir Kalemit. Edhe pse nuk solli asnjë dëm, pas sulmit që i ndodhi të vëllait, edhe Andrea Kalemi doli nga spitali ku ishte shtruar që më datë 8 janar. Data e daljes së tij në kartelë është 13 janar, fiks një ditë pas atentatit.
Herën e parë që Zamir Kalemi u mor në pyetje nuk e pranoi se kishte shkuar në spital për të parë vëllanë, duke iu druajtur kështu një "rrjedhjeje" informacioni. Ai ka pretenduar se shkoi në spital për të takuar një shok dhe gjatë marrjes në pyetje ka mohuar konflikte me persona të tjerë, edhe pse familja është e përfshirë në një sërë ngjarjesh ndër vite. Të njëjtin version kanë pasur edhe familjarët e tij, të cilët kanë refuzuar të japin informacione të detajuara para Policisë. Për ta, goditja nuk dihet nga vjen.
Por ZËRI e ka zbuluar të plotë hakmarrjen që po u kushton jetë...
Kush është Zamir Kalemi
Zamir Kalemi është vëllai i Adriatik Kalemit, të cilit i janë bërë dy atentate në Greqi në shtatë muajt e fundit. Ngjarja e të premtes dyshohet se është si rrjedhojë e zinxhirit të vrasjeve që kanë nisur në Greqi që në vitin 2022 e më pas përplasjet janë zhvendosur në Shqipëri.
Si nisi saga e hakmarrjeve
Konfliktet e para kanë nisur për 700 kilogramë kanabis që janë zhdukur në Greqi. Fillimisht për këtë sasi droge dyshohet se janë vrarë dy shqiptarët Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja, si dhe është zhdukur pa gjurmë miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. I pari që “pagoi” haraçin për kanabisin e zhdukur në vendin tonë ishte Aleksandër Sadikaj që u vra në mënyrë makabre me lëndë plasëse në makinën e tij në zonën e TEG-ut. Në Greqi, Sadikaj përdorte tre gjeneralitete dhe një prej tyre ishte Aleksandër Kalemi, duke marrë edhe mbiemrin e dajës së tij, Andrea (Adriatik) Kalemi.
Duke marrë parasysh se i riu kishte disa skedime për vepra të ndryshme penale, ka pasur disa pista për vrasjen e tij, por përplasja për narkotikët është kryesorja. Dyshimet i shtoi babai i tij, i cili bëri me dije edhe për një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit nga Tepelena. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë.
Disa muaj më pas, u vra biznesmeni Edmond Papa. Rrethi u zgjerua, pasi shënjestra e radhës do të ishte Aleksandër Kalemi, të cilit iu bënë dy atentate në vendin fqinj. I pari ishte më 10 Gusht 2023, në ishullin Paxos, ndërsa i dyti më 15 dhjetor teksa ndodhej në burgun e Koridhalos, po në shtetin helen./ZËRI