
TIRANË- Kasandër Noga, njeriu që planifikoi dhe urdhëroi ekzekutimin e armikut të tij Erion Hasanbelli dhe të tre nipave të tij Igli Metushi, Ani Metushi, Klaudio Metushi alias Ibishi, ka filmuar veten teksa shihte lajmet në momentin që priste të vulosej hakmarrja.
Videoja e Nogës është gjetur në bisedat e zhvilluara gjatë periudhës së vitit 2021 dhe 2022 në aplikacionin “Signal” dhe “Telegram”, mes tij dhe Kevin Zenelit alias Kevin Suçi.
Në këto biseda, siç shkruan gazetari Elton Qyno për OraNews, Noga shfaqet me nofkën “Fratelo” ndërsa Kevin Suçi me emrin e tij.
Në videon që tashmë është në duart e autoriteteve, Kasandër Noga shfaqet në ambientet e një banese, duke filmuar veten, dhe në sfondin mbrapa tij duket televizori që po jep lajmet, duke raportuar për ngjarjen e ndodhur në një lokal në rrugën “Don Bosko”, Tiranë.
“…Shoku si kalove, ja në shpi jam vlla po shof këtë, ça bën ti mirë je, se kam merak për ty vlla e kupton, edhe po shof ca ngjarje këtu po nuk po jep emra…,”- dëgjohet të thotë ai në videon që ia ka dërguar Zenelit.
Por në fakt, hakmarrja s’u mor kurrë, pasi Zeneli dhe dy personat që e shoqëronin në këtë atentat ngatërruan shënjestër dhe vranë Erion Çelën, si dhe plagosën katër persona të tjerë: Blerim Çelën, Edmond Crrojn, Arben Danin dhe Azbi Selimajn.
Pamjet janë sekuestruar pas arrestimit të Nogës në Belgjikë, Ai ndodhet pas hekurave pasi u arrestua pas një atentati që i bëri Hasanbellit në Bruksel në qershor të vitit 2022. Erion Hasanbelli mbijetoi, ndërsa Noga u arrestua.