
TIRANË- Dalin më në fund pamjet e momentit kur u qëllua për vdekje 14-vjeçari Martin Cani! Pamjet e publikuara nga gazetari Eraldo Harlicaj zbulojnë të gjithë dinamikën e ngjarjes. Teksa shkruan se ende ka dilemën nëse ka bërë mirë apo jo që ka publikuar pamjet, gazetari ndan edhe pikëpyetjet që i kanë lindur pasi ka kqyrur materialet filmike. Ai nis me analizimin e videos duke evidentuar se Martin Cani dhe Mario Përlleshi janë dy të miturit që "u prijnë shokëve" dhe shkojnë bashkë për t'u sqaruar. Secilin prej tyre i ndjekin nga pas disa adoleshentë të tjerë, mes tyre edhe Luis Meçja.
Martin Cani dhe Mario Përlleshi janë të parët që ecin paralel me njëri-tjetrin, nga pas i ndjekin Kledon Bekaj, Kingston Korbi dhe Armand Marku. Ndërsa në fund fare u bashkohen Klevis Tema, Marseld Sina dhe Luis Meçaj. Pasi ndodh plagosja, të miturit largohen me vrap nga vendi i ngjarjes. Të parët që ikin janë Korbi, Marku dhe Cani. Ky i fundit mban zemrën me dorë, pasi aty është qëlluar me thikë nga bashkëmoshatari i tij. Pas tyre vrapojnë Meçaj, Bejkaj dhe Përlleshi. Më pas, Përlleshi kthehet dhe ikën me vrap në drejtim tjetër, atje ku ndodhi ngjarja. Kjo pasi i ka rënë këpuca dhe shkon ta rimarrë, pritet nga dy djem të tjerë që ndodhen aty.
Referuar dhe deklarimeve në gjyq, sipas të miturve ka qenë një nga djemtë e tjerë, jo Martini, ai ka goditur i pari Marion në hundë. Më pas sherri ka agravuar, duke i marrë jetën Martinit dhe duke plagosur Luisin. Sipas gazetarit, Luisi, shoku i plagosur i Martinit, në seancën gjyqësore i qëndron idesë se kanë qenë dy persona që kanë goditur me thikë, duke kërkuar rihetim të të gjithë ngjarjes. Po ashtu, avokati i Marios, autorit të dyshuar, ka mbështetur deklaratën e Luisit, duke ngritur alibinë se nuk ka qenë ai personi që ka qëlluar Martinin.
Por Përlleshaj pranon se ka përdorur thikën, por thotë se ka plagosur vetëm Luisin. Në këtë pikë bien të dy dakord! Si Luisi, edhe Mario, pretendojnë se ka qëlluar me thikë dhe një person i tretë.
"Kush është personi i tretë që po mbahet i fshehur nga të gjithë? A ekziston vërtet një person i tretë që ka goditur? Si ka mundësi që dëshmitarët kanë ndryshuar deklarimet në gjyq ndryshe nga përgjigjet që i kanë dhënë prokurores dhe pasi janë rimarrë disa herë në pyetje nga ana e Alma Felajt? Kush është i rrituri që ka goditur me shpullë Martinin ditën e premte, në sherrin që ka pasur me Marion? Kush janë djemtë që kanë pritur Marion dhe shoku që e shoqëroi në spitalin privat, ku shihet me plagë në dorë,"-shkruan gazetari.
Duke u bazuar në këto të dhëna, gjyqtarja Marinela Osmani vendosi rihetimin e ngjarjes, duke pretenduar se nuk ka pasur një dokumentim të plotë të provave nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Sipas trupës gjykuese, deklaratat e dëshmitarëve janë shumë të rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës. Por deri tani, Mario ende nuk ka dëshmuar, vetëm ka dhënë deklarime kur është marrë në pyetje.
Më shumë detaje do të mësohen ditën e mërkurë, kur edhe është caktuar seanca e radhës. Para trupës gjykuese është thirrur edhe personi i rritur që ka goditur Martinin ditën e premte me shpullë. Sesi do të zhvillohen hetimet, kjo ende nuk dihet./ZËRI