
TIRANË- Rrëmbimi dhe zhdukja e Jani Prengës vazhdon të gjykohet sot në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Edhe në seancën e sotme, vazhdon dëshmia e kopshtarit Festim Bexhdili, i cili në shkallën e parë u dënua me burg përjetë, e tani kërkon pafajësi. Gjatë diskutimeve në sallë, avokati i tij mbrojtjës, Ilir Murati pretendon se prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kanë interpretuar keq pamjet filmike.
Avokati Ilir Murati: Prokuroria e Posaçme ka bërë gabime gjatë këqyrjes së pamjeve filmike, i mbrojturi prej meje nuk është ngjitur në makinë 18:29 minuta është në këmbë, nuk është në makinën që do të transportojë pengun me makinën tip Mercedes Vito që dyshohet se ka marrë pengun. Në orën 18:30 minuta makina që do të transportojë pengun ndizet dhe bëhet gati të largohet por Bexhdili nuk ka hypur në atë makinë. I mbrojturi prej meje e pranon që ka ndihmuar për të futur pengun Jan Prenga nga makina Range Rover tek makina tjetër, por nuk ka kryer veprime të tjera. Kërkojmë që në kuadër të këtij procesi të këqyren pamjet filmike të ngjarjes. Gjykata administron provat e dorëzuara nga mbrojta, tabelat fotografike.
Si përgjigje, prokurori i SPAK, Behar Dibra thotë se pamjet tregojnë momentin kur Bexhdili dhe Aldo Majnishta nxjerrin trupin nga bagazhi i mjetit “Mercedez Benz”.
“Na rezulton se Festim Bexhdili me Aldo Majnishta nxjerrin trupin nga bagazhi i "Mercedez Benz Vito" dhe e mbulojnë me çarçaf, në orën 18:12, në 18:30, automjeti del nga garazhi i “Golden Resort”. Festim Bexhdili e ka nxjerrë trupin nga makina dhe e ka mbështjellë me qese te zeza ne na rezulton që i pandehuri ka dalë nga kompleksi dhe është rikthyer sërish në kompleks, ku ka vijuar më pas me veprimet e tjera,”- tha Behar Dibra.
Ilir Murati: Mund të thoni se e kemi këqyrur pa dashje gabim.
Nga ana tjetër, i pandehuri tjetër Aldo Majnishta ka refuzuar të japë deklarime dhe të njëjtën rrugë duket se ka zgjedhur edhe Dritan Rexhepi. Edhe sot, ky i fundit nuk pranoi të paraqitej për të dhënë dëshmi duke thënë se do të përfaqësohej nga avokatja. Por as mbrojtësja e tij nuk ishte në sallë. Në këto kushte, gjyqtari Engert Pëllumbi tha se në seancën e ardhshme Rexhepi është i detyruar të paraqitet pavarësisht se ka të drejtën të mos dëshmojë.
Seanca e radhës do të mbahet nesër në orën 09:00 të mëngjesit.
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar. Edhe sot, trupi i Jani Prengës nuk është gjendur akoma.../ZËRI