
TIRANË- Policia e Shtetit ka arrestuar 61-vjeçarim Mazllam Marku, i cili qëlloi me automatik në ajër për të kërcënuar vëllain e tij. Kjo pasi ky i fundit i dhunoi të bijën. Ngjarja mes vëllezërve ka ndodhur në Paskuqan. Me të marrë njoftimin, uniformat blu shkuan në terren dhe vendosën në pranga 61-vjeçarin, por edhe të vëllanë e tij, Adem Marku. 63-vjeçari u arrestua për dhunën e ushtruar ndaj mbesës së tij.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandaloi përshkallëzimin e një konflikti me armë zjarri, në një familje në Paskuqan. Qëlloi me armë zjarri automatik në ajër, për të kanosur vëllanë e tij, arrestohet 61-vjeçari (shtetas me precedent). Në pranga dhe vëllai, pasi dhunoi vajzën e 61-vjeçarit. Gjenden në banesën e 61-vjeçarit dhe sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov, municion luftarak dhe 1 mjet prerës (sëpatë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, sapo janë njoftuar për një konflikt mes 2 vëllezërve në Paskuqan, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, për të nxjerrë autorët para përgjegjësisë penale dhe për të sqaruar rrethanat e rastit. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, shërbimet e Policisë kanë neutralizuar të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, konkretisht M. M., 61 vjeç (me precedent për kundërshtim të punonjësit të Policisë) dhe A. M., 63 vjeç, vëllezër, të cilët në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasi M. M. qëlloi me armë zjarri kallashnikov, në ajër, për të kanosur shtetasin A. M., i cili i kishte dhunuar vajzën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI