
TIRANË- Punimet e restaurimit në ish-burgun e Spaçit kanë ndezur një debat të fortë publik. Për këtë çështje u përballën Fatos Lubonja, publicist dhe ish-i burgosur politik në Spaç, si dhe regjisori i filmit që do të xhirohet në ambientet e godinës famëkeqe, Namik Ajazi. Të dy u përballën në emisionin "Një Shqipëri", ku nuk mungoi as debati me njëri-tjetrin. Gjatë të gjithë fjalës së tij, Lubonja theksoi se ruajtja e vlerës historike është mbi çdo gjë. Duke risjellë "përvojën e tij" personale si ish-i burgosur në Spaç, Lubonja kërkoi që të përdoret dekor për të rikrijuar kampin dhe jo të bëhen ndërhyrje në godina për t'u prishur identitetin.
Lubonja theksoi se vizioni i tij është ai i ruajtjes së rrënojave, pasi në këtë vend ka shenja të historisë që nuk mund të fshihen apo tjetërsohen në funksion të një filmi.
“Unë vij nga kjo ndjeshmëri dhe mendoj se ky debat është i ngushtë, por në thelb përmban çështje të mëdha për shoqërinë shqiptare. Një prej tyre është pse Spaçi u rrënua në këtë mënyrë. Jemi të gjithë përgjegjës. Unë ngre pyetjen: Si është e mundur? Kam disa argumente. Spaçi ka pasur shumë faza dhe ka ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës. Ndërtesa e kuqe nuk ka ekzistuar gjithmonë. Në vitin 1973, Spaçi kishte vetëm ndërtesën e kuqe dhe tarracën. Po të shikosh sot, nuk ka më parulla të shkruara më vonë. Revolta e Spaçit e bën të rëndësishme birucat. Kanë qenë katër biruca në një korridor të ngushtë. Pal Zefi ishte në njërën prej tyre, pasi nuk pranonte të dilte në punë. Kur shkuan ta merrnin me dhunë për ta nxjerrë në tarracë, ndodhi ajo që dihet. Këto biruca janë të rëndësishme, sepse prej aty u morën dhe u pushkatuan të burgosurit. Sot ato janë shkatërruar dhe ndërtimi aktual nuk ka më lidhje me atë të vitit 1973. Unë do të doja të rikrijoja atmosferën e birucave, tarracën, shtegun ku ngjiteshin të burgosurit për punë, por këto gjëra nuk mund të bëhen më. Vizioni im mbetet ai i ruajtjes së rrënojave. Megjithatë, historia mund të kujtohet përmes krijimit të një muzeu, ku teknologjia moderne do t’u mundësojë të gjithëve të shohin dhe të përjetojnë atë që ndodhi. Ka disa shenja të historisë që nuk mund të fshihen për hir të një filmi,”-tha në fjalën e tij Lubonja.
Ndërkohë që sipas regjisorit Namik Ajazi për qëllimet e filmit që ai po realizon me skenar të Visar Zhitit, elemente si biruca dhe rrethimi do të duhet të rikrijohen si dekor. Por po ashtu shtoi se filmi do të mbështetet gjerësisht te efektet vizuale për të rikrijuar atmosferën e brendshme të burgut famëkeq.
“Në momentin që shkon sot në Spaç, nuk sheh asgjë. Nuk ka asnjë lloj rrethimi. Nuk të jep përshtypjen e një burgu. Të asaj që ka ndodhur aty. Ne këto elemente, përfshirë edhe birucën, do t’i rikrijojmë si dekor. Do të përdorim vetëm këtë fazë të parë. Ky rrënim që ka Spaçi sot ka qenë një ambient vuajtjeje të tmerrshme. Terrori konsistonte në punën e detyruar në temperatura deri në 45 gradë, në dhomat ku flinin deri në 54 vetë. Ky ishte terrori. Ne hartuam skenarin dhe, kur pamë që qeveria mbështeste projektin për rivitalizimin e Spaçit, menduam që një pjesë të përdorim për të realizuar filmin. Ndërhyrja e parë është bërë në dhomën e takimeve. Pra në film do të punohet me efekte, por gjithmonë duke pasur si bazë Spaçin,”- u shpreh Ajazi.
Ndërhyrjet restauruese që kanë nisur në Burgun e Spaçit nën mbikëqyrjen e Institutit të Trashëgimisë Kulturore kanë nxitur një debat lidhur me ruajtjen e autenticitetit të kampit. Edhe pse projekti parashikon ndërhyrjen në tetë pika të ndryshme, përfshirë riparim e plotësim të mureve, vendosje portash e parmakësh apo ndërhyrje për rrethimin, kritikët shprehen se kështu preket historia që mbart kampi, ndër më mizorët e regjimit komunist në Shqipëri. Aktualisht ndërhyrjet janë ndërprerë, por debati vazhdon./ZËRI