Aktualitet

Vrasja e Dorjan Shkozës, dëshmia e Erion Alibej: E dinim që Talo Çela do bëhej i gjallë...biseda me Plarent Dervishajn

Në dëshminë e tij, Alibej rrëfen se për eliminimin e Shkozës ka paguar 100 mijë euro.

k.m.
Vrasja e Dorjan Shkozës, dëshmia e Erion Alibej: E dinim që Talo
Erion Alibej

TIRANË- Vijon dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”. Sërish sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ai ka zbuluar detaje nga vrasja e Dorian Shkozës, ngjarje që ndodhi në vitin 2020 në Durrës. Në dëshminë e tij, Alibej rrëfen se për eliminimin e Shkozës ka paguar 100 mijë euro. Në sallën e gjyqit, Alibej ka treguar se për vrasjen e Dorian Shkozës, i cili cilësohej si njeri i afërt me Talo Çelën, ka paguar 100 mijë euro. Po ashtu, zbuloi se gjatë kësaj periudhe kishte pasur kontakte edhe me Plaurent Dervishajn. Alibej thotë se Nuredini kishte bashkëpunim me çunat e Fushë-Krujës por shtoi se nuk i identifikon dot, e po ashtu përmendi edhe Fatmir Troplinin, duke e cilësuar si "Mirin e Pojës".

Për vrasjen e vëllezërve Haxhia, bashkëpunëtori i drejtësisë, Erjon Alibej tha se objektivi ishte Besmir Haxhia dhe Altin Ndoci dhe jo Viktor Haxhia. Por Ndoci kishte zbritur para ngjarjes, ndaj edhe u vranë dy vëllezërit. Sipas tij, gjatë atentatit është qëlluar me xhama mbyllur dhe për këtë pasojë ishte plagosur aksidentalisht edhe një nga pjesëmarrësit, Klevis Alla.

Plani për vrasjen e Dorian Shkozës

Për Dorjan Shkozën kam paguar 100 mijë euro. Nga hoxha janë blerë disa armë, varionin çmimet nga 500-1000 deri 3500 euro. Nuk e di fiks se kontaktet me “hoxhën” i kishte Sandër Baho. Me Nuredin Dumanin jam takuar pas vrasjes së vëllezërve Haxhia. Por me Nuredinin isha në kontakt të vazhdueshem, Henrik Hoxhën s’e njihja, vetëm kam dëgjuar që kishte preudonimin “kusho” edhe “nipi” që i drejtohej Klevis Allës. Me Nuredinin flisja për Talo Çelën që pas vrasjes së Dorjan Shkozës do u bënte i gjallë apo jo. Gjithashtu vijoja investigimin për Altin Ndocin, ky shkonte shpesh në Durrës tek vëllezërit Haxhia. Klevis Alla kishte parë një ditë Talon tek shtëpia e vëllezërve Haxhia, por Nuredini e mori me rezerva. Nuredini është angazhu me qenë i përgatit me “çunat e Fushë-Krujës”, por emrat e tyre s’i dija. Në "SkyECC" më shkruan Plarent Dervishaj. Kam pasur kontakt me të, ai kishte kodet “Barcelona” dhe “Ghost”. Plarenti më tha: M’bohet qejfi që e ke gjet Talo Çelën. Unë u habita nga e dinte ky, pastaj u kujtova që Plarenti kishte shumë muhabet me Festim Qolin. Kishim një makinë Toyota të vjedhur që e kisha blerë në Shijak, ja dhashë Nuredinit dhe armët që ai donte, ja dhashë te pazari i Rrogozhinës. Ishte me Klevis Allën kur e mori. Më pas, Nuredini kërkoi dhe 50 mijë euro; ja çova me një mikun tim dhe i çova 150 mijë për të vijuar. Këtë e bëra që edhe Nuredini të shikonte që unë kisha lekë dhe të kishte besim. Për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kam dhënë Nuredinit 2 kallash dhe 1 pistoletë mesa kujtoj, ça më kërkonte ja jepja. Armët ja dhashë bashkë me makinën, plani ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, jo Viktorin. Doli shpejt në TV lajmi që e mora vesh, edhe në lajme që u gjet e braktisur Toyota, i thashë Nuredinit pse shenja gjaku në makinë, më tha 'kemi gjujt me xhama mbyll dhe nga ciflat është lëndu në këmbë “kusho”'. Pastaj u shoqërua “nipi” në Polici dhe Nuredini më tha “më duket se ky po flet” dhe sa mora vesh e kishte marrë vesh nga komshijtë, nga “Miri Pojës” që Nuredini e kishte mik. Viktor Haxhia ka qenë rastësisht aty, në makinë ka qenë dhe Altin Ndoci, por ka zbritur rrugës, se ai ishte objektiv, ata nuk e kanë ditur që ishte Viktori në makinë, kanë menduar se është Altin Ndoci,”- dëshmoi Alibej.

Por edhe pse i shpëtoi herën e parë! Erion Alibej ka rrëfyer vendosmërinë e tij për të eliminuar Altin Ndocin, të cilin po konsideronte që ta ekzekutonte edhe ditën e varrimit të dy vëllezërve.

“Diskutoja me Nuredinin për varrimin e vëllezërve Haxhia, pasi mund ta ekzekutonin Altin Ndocin edhe ditën e varrimit, un isha pro, por nuk u arrit pasi ai nuk shkoi në varrim. Kam pasur dhe një mik në Kukës, Bujar Gërmizin, i thashë Nuredinit ke nevojë për disa veshje si të OFL-së? Më tha "po" dhe nga Bujari mora disa veshje si të OFL-së, Policisë dhe ja kam dhënë Nuredinit, jelek dhe kambale, me mbishkrimin OFL, janë bërë në Kosovë veshjet, unë i mora në Kukës. Pas vrasjes së vëllezërve mora vesh që Talo kishte qëndruar tek shtëpia e Haxhiajve, kur mësova në TV që Klevis Alla po nxirrte emra. Nuredini në këtë kohë u shkëput dhe bashkë me familjen e tij rrinte në Spille, tek vjehrra, ai s’e dinte nëse po flitej për të, pasi i shkoi dhe policia në banesë, por ai kishte ik, flisja gjithë kohës me të në Sky ECC."

Alibej tregoi edhe për platformat e koduara që përdorte dhe 3 fjalëkalimet e tij.

“Unë në SkyECC kam pas kodin “Lizz” dhe “Kumi”, kurse në Enkrochat e kam pas “Noku”. Foton e Besmir Haxhisë e kam nxjerr nga sistemi TIMS, kisha investiguar për të se ai kishte marrë pjesë në 3 atentate ndaj familjarëve të mi, emrin e tij nuk e mbaj mend, ma ka thënë Nuredini apo e kisha mësuar më para, mesa di lekët për vrasjen i ka nda Nuredini, me tha tha që i ka dhënë nga 35 mijë euro secilit. Unë rrija në shtëpi por vinin me takonin miq e shokë, kanë ardhur edhe policë, si Leonard Palushi, Arjan Spahiu ka qenë në dijeni të planeve tona dhe më ka ndihmuar nga ana monetare, Arjani fliste dhe me “fat katnarin”, ky kishte informacion mbi personat që më goditën familjen,"- ka shtuar Alibej në dëshminë e tij.

Të gjitha porositë e tij për të kryer vrasje, Alibej tha se në "këtë rrugë" ishte futur vetëm për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, xhaxhait dhe mikut të tij nga Turqia. Ndaj edhe ishte lidhur me Nuredin Dumanin. Për ta pasur afër, i kishte blerë edhe shtëpi në Elbasan. 

“Klevis Allën s’e kam takuar asnjëherë, në këtë periudhë Nuredini s’po e merrte vesh nëse ky kishte folur për atë apo jo, pas vrasjes së vëllezërve Haxhia kam dalë nga shtëpia, kam shkuar në Prokurori, më ka thirrur prokurori Ritvan Suka, më pyeti në lidhje me gjërat që i kisha vënë në dispozicion, edhe në prokurori shkova me motor, si shpërndares picash, në atë kohë unë kisha për çështjen e Xhoni Rustas avokat Demir Çiftjan, prokurorit i thashë prapë janë këto ekzekutorët, prokurori kërkoi prej meje informacion, pasi kishte ndodhur një plagosje në Elbasan, një Kei Piu. Dumani ishte shpërngulur në Spille dhe ishte në gjendje jo të mirë dhe vendosa t’i marrë në Elbasan. I kam blerë një shpi, e kam kompletu dhe para se ta shpërngulja familjen e tij, fillimisht ka ardhur Nuredini. I kam thënë Sandër Bahos dhe ka shku e ka marrë në dalje të autostradës dhe fillimisht Dumani ka nejt te shtëpia e Sandrit. Morëm një info për Talo Çelën që strehohej të Abedin Mama. Për të shkuar deri atje te fshati, Nuredini është angazhu me çunat e Fushë-Krujës, njeri quhej Veri dhe tjetri Besi. Janë bërë veprime te pularia, kanë hy brenda për ta kap Talon dhe i iku. Janë kthy te shtepia e Sandër Bahos dhe çunat e Fushë-Krujës në vendin e vetë,”- shtoi ai për GJKKO.

Vrasja e Regis Runajt

Erion Alibej ka rrëfyer edhe për vrasjen e Rigers (Regis) Runajt, pasi Xhuljan Hoxha i kishte thënë se viktima i kishte dhënë informacione autorëve.

“Mbas disa kohësh që Nuredini ka nejt te shtëpia e Sandrit, e kam tërheq te shtëpia që kisha marrë. Nga fundi i prillit kam pas një djalë që quhej Endri Karaj dhe ka kërku të flas me mu. Dhe i shkruaj në aplikacion dhe më thotë do të flasë me ty Xhuljan Hoxha dhe i them nuk jam në Shqipëri, po unë isha te shtëpia në Elbasan. Kam lidh kontakte me Xhuljan Hoxhën, ku më ka dërguar foto të këtyre. Dhe më thotë që Rigers Runaj i jep të gjitha informacionet, e ke afër shtëpisë. Dhe shumë pak kam bisedu dhe i thashë kur të vi në Shqipëri do të them që do të të takoj fizikisht,”-shtoi bashkëpunëtori i drejtësisë.

Plani për vrasjen e Bujar Çelës, vëllanë e Talo Çelës

Erion Alibej ka rrëfyer sot në GJKKO edhe përpjekjet për të vrarë Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës, por pa rezultat në momentet e para. Më pas iu vu Emiljano Ramazanit "Mili", pasi ky ishte bashkëpunëtor i grupit Çopja dhe Talo Çelës. U tentua disa herë, por pa rezultat, derisa e kapën pas palestre në vitin 2020, kur kthehej me makinë në shtëpi. Ekzekutimin sipas tij e kreu Skerdi Tase, e shoqëronte Henrik Hoxha në timon.

"Në atë periudhë po interesoheshim edhe për Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës. Këtë si punë e mori Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase. Nuk u realizu për arsye që nuk e di. Gjatë kohës më pas vendosëm për Emiljanon Ramazanin. Për Ramazanin kishim informator përveç Nuredinit, kisha edhe Elio Bitrin dhe Xhuljano Hoxhën. Arsyeja ishte Emiljano Ramazani, ishte aktiv nga grupi Çopja dhe Bujar Cela. Janë bërë disa herë raste dhe nuk është arritur ekzekutimi, na ka shpetu. E dinim që Emiljano shkonte në palestër. Vonohet shumë edhe te palestra dhe përsëri tërhiqen. Ditën e vrasjes sapo doli nga plaestra, informator kisha. Henrik Hoxhaj ishte në timon dhe Skerdi Tase ekzekutor dhe e pritën në rrugë kryesore, pranë pallatit që do futej Emiljano Ramazanit. Sa ka ardhur Ramazani, ka zbritur Skerdi me TT. Pas vrasjes ka djegur makinën në dalje të Elbasanit dhe armën donim ta çonim në shtëpinë e Bujar Çelës,"-dëshmoi Alibej.

Bashkëpunëtori i drejtësisë, i riu nga Elbasani, ka nisur të japë dëshmitë e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Para togave të zeza ai ka folur për fëmijërinë e tij, armiqësitë në qytetin e Elbasanit dhe ngjarjen ku mbeti i vrarë vëllai dhe xhaxhai i tij, e njohur gjerësisht si masakra e Bradasheshit.

Dosja "Plumbi i artë" u hap pas kapjes së asokohe të plagosurit Nuredin Dumani, i cili ishte një nga personat më të kërkuar të Policisë së Shtetit, pasi dyshohej se ishte vrasës me pagesë. Që nga arrestimi i tij, Dumani pranoi që të bashkëpunonte me drejtësinë, duke u kthyer në një të penduar. Gjatë rrëfimeve të tij për hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin duke i thënë SPAK kodet e PIN-eve që kishte në aplikacionin "SkyECC": 'Totorina", "Covid 19" dhe "Alcatraz". Po ashtu, gjatë dëshmive të tij në Gjykatë ka paralajmëruar edhe krime të tjera që do të zbardhen me "Matrix", aplikacionin më të ri që është dekriptuar nga Europol.

Gjatë 3 viteve që ka statusin e të penduarit të drejtësisë, Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI

Poll

MOS HUMB