Aktualitet

Vdekja e Brian në 'Splendent' , ISHSH për ZËRI: E gjobitëm 500 mijë lekë, kontrollet me program

Në përgjigjen për Zërin, ISHSH thotë se klinika e familjes Xhaxho është gjobitur me 500 mijë lekë, por ky institucion nuk ka kompetencë në lëshimin e licensave

E.K
Vdekja e Brian në 'Splendent' , ISHSH për ZËRI: E
Roland dhe Ina Xhaxho, dhe Brian Spahiu

TIRANË- Vdekja e Brian Spahiut pas ndërhyrjes në klinikën dentare Splendent vijon të jetë e pazbardhur, ndërkohë që institucionet janë futur në një lojë ‘ping-pongu’ mes tyre për zbardhjen e shkaqeve që 3-vjeçari ndërroi jetë. ZËRI u interesua pranë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, në lidhje me kontrollin e kryer pranë klinikës Splendent në muajin Tetor, disa ditë pas vdekjes së Brian, ku u konstatua se biznesi në fjalë nuk kishte leje për ndërhyrje dentare me anarkozë.

Për këtë ISHSH thotë në përgjigjen për ZËRI-n se Ina Xhaxho është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra, dhe se prokuroria sipas burimeve të redaksisë ka marrë në kopje të këtij raporti. Nga ana tjetër ISHSH jep detaje dhe se si ushtrohen këto kontrolle në biznese, dhe a mund të ishte shmangur kjo tragjedi, nëse do të ishte konstatuar më herët se Ina Xhaxho vepronte pa licensë për ndërhyrje dentare.

“Në përgjigje të email Tuaj të datës 16.01.2024, Ju informojmë si më poshtë vijon: Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, kryen inspektime bazuar në Ligjin Nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ku parashikohen inspektime të programuara sipas një programi inspektimi të miratuar në baza vjetore e mujore dhe inspektime jashtë programit, ku përfshihen inspektime në kushte flagrance, denoncime, ankesa, urdhër Ministri/Kryeinspektori etj.  

Ndaj subjektit I. Xh. NIPT L82307001G është vendosur më datë 13 tetor 2023 masë administrative, 500 000 Lekë, për shkelje të pika 1, neni 27 të Ligjit 10 107, datë. 30.03.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 

Baza ligjore dhe kompetencat mbi të cilat ushtron aktivitetin ISHSH nuk përfshijnë licensimin e asnjë lloj veprimtarie apo subjekti. Ju faleminderit”, thuhet më përgjigjen me email që ISHSH i ka dhënë ZËRIT. Nga ana tjetër redaksia ka kërkuar informacion edhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit, mbi mënyrën se si është pajisur me licensë Ina Xhaxho, disa javë pas tragjedisë, por deri tani nuk kemi marrë një përgjigje. Xhaxhos iu mohua 5 herë brenda muajit dhënia e licensës, dhe vetëm në 31 Tetor ajo u miratua, por duke qenë se procedurat kryhen online, verifikimi i dokumenteve mbetet i vështirë.

Familja e Brian ka kërkuar përjashtimin e prokurores Alma Felaj, që sipas tyre iu ka fshehur raportin e ISHSH, ndërkohë që për dy mjekët nuk është marrë asnjë masë, dhe aktiviteti në klinikën dentare vijon si normalisht. Madje tashmë edhe me licensë!/ZËRI

Poll

MOS HUMB