Aktualitet

Thellohet skandali/ Klinika 'Splendent' ‘fantazmë’, Ina Xhaxho nuk kishte licencë për stomatologe. Iu refuzua 6 herë

Në të gjitha rastet që Ina Xhaxho kishte aplikuar për licensë, data e tyre është pas vdekjes së 3-vjeçarit

E.K
Thellohet skandali/ Klinika 'Splendent' ‘fantazmë’,
Roland Xhaxho dhe Brian Spahiu

TIRANË- Kur kanë kaluar rreth 4 muaj nga vdekja e Brian Spahiut, në klinikën e mjekëve Roland dhe Ina Xhaxho, hije të reja skandali hidhen mbi "Splendent", në pronësi të tyre.

Mësohet se klinika ku u krye ndërhyrja e të miturit ka qënë pa licensë, ndërkohë që vetë Ina Xhaxho në momentin e ndërhyrjes nuk ka pasur licensë për stomatologe. Në mënyrë të paprecedentë ajo është pajisur me licensë për ndërhyrje dentare, një muaj pas vdekjes së të miturit.

Burime bëjnë me dije për Zërin, se pas vdekjes së të miturit, Ina Xhaxho ka aplikuar 6 herë për licensë për ndërhyrje dentare, dhe vetëm herën e fundit kërkesa e saj është pranuar.

Prindërit e vogëlushit kanë ngritur shqetësime në lidhje me hetimet që po kryhen, dhe për këtë shkak kanë kërkuar përjashtimin e prokurores së çështjes Alma Felaj. Sipas tyre prokurorja Felaj duhet të kishte dhënë masa ndalimi ndaj mjekëve në momentin kur del e provuar se klinika vepronte pa licensë. Prokuroria ka pasur një përplasje dhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore, për vdekjen e 3-vjeçarit.

Shkak për këtë u bë kërkesa e prokurorisë së Tiranës për të thirrur ekspertë të huaj, për shkaqet e vdekjes së Brian, duke thënë se ekspertiza e bërë nga IML ka qenë e paplotë. Në ekspertizën e parë të bërë nga mjekët shqiptarë thuhej se vdekja e 3-vjeçarit kishte ardhur si pasojë e mbidozës nga narkoza.

Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka kryer inspektime në klinikën në fjalë në datën 12 dhe 13 Tetor, rreth dy javë pas vdekjes të të miturit, ku ka konstatuar se subjekti nuk ishte i pajisur me licensë për ushtrimin e aktivitetit për shërbime mjekësore dhe/ose stomatologjike, kategoria II.

Për këtë shkak ISHSH e ka gjobitur Ina Xhaxhon me masë administrative, por kjo nuk e kishte penguar atë që të niste përpjekjet për t’u pajisur me licensë, të cilat u finalizuan në datën 31 Tetor.

Vdekja e Brian: 

Gjithçka ndodhi në datën 28 shtator. I vogli u dërgua në klinikë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për gjashtë orë. Sipas dëshmive, mjeku anestezist Roland Xhaxho u kishte garantuar familjarëve se procedura ishte një sukses dhe fëmija iu është dorëzuar familjarëve për ta marrë në shtëpi rreth orës 19:00, sipas tyre po në gjendje të pavetëdijshme.

Menjëherë pas dërgimit në banesë, djalit i është rritur edhe temperatura, gjë që ka alarmuar prindërit të cilët e kanë dërguar më pas në Pediatrinë e QSUT-së, ku Brian është intubuar për shkak se sipas mjekëve, mëlçia e tij kishte dalë jashtë funksionit. Ai ka qëndruar në terapi, e cila nuk ka dhënë rezultat dhe më 1 tetor, i vogli ka humbur jetën. Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici, por deri më tani, askush s’është vënë në pranga.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB