Aktualitet

Mot i ngrohtë i shoqëruar me reshje shiu, si parashikohet moti për këtë javë

Gjatë javës që sapo kemi nisur, pritet që temperaturat të jenë më të larta, por më tepër reshje shiu.

D.XH
Mot i ngrohtë i shoqëruar me reshje shiu, si parashikohet moti
Moti me shi

TIRANË – Java që sapo kemi nisur pritet që të jetë kryesisht e ngrohtë, por e lagësht, pasi pritet që të bien reshje shiu. Meteorologia Ladja Porja deklaroi se e hëna nisi me rritje të temperaturave, të cilat pritet që të na shoqërojnë në këtë javë. Reshjet e shiut pritet që të bien më të dendura në pjesën e dytë të ditës së sotme. Situata më problematike nga reshjet pritet në qarkun e Shkodrës dhe atë të Lezhës. Reshje akoma më të dendura të shiut pritet të sjellin dita e enjte dhe e premte. Në zonat malore do të bien edhe reshje të pakta dëbore, kryesisht në veri-lindjen e vendit.

Sa i përket temperaturave, minimalja në këtë javë pritet të jetë minus 1 gradë celcius në jug-lindje të Shqipërisë. Maksimalja pritet që të regjistrohet në jug-perëndim të vendit, 14 gradë celcius.

“Kjo javë ka nisur nën ndikimin e masave të paqëndrueshme, që do të mbeten prezente pothuajse gjatë gjithë kësaj kohe. Në orët e para të mëngjesit ka pasur reshje të pakta, por në pjesën e dytë të ditës do të kemi intensifimim të reshjeve, më së shumti në zonat veri-perëndimore, ku situata do të paraqitet problematike në Shkodër dhe Lezhë. Reshje më të pakta do të kenë zonat qendrore edhe jugore, kryesisht qarku i Vlorës, do të ketë shira me intensitet të lartë”, tha meteorologia.

Për sa i përket zonave malore, edhe pse është shënuar një rritje e ndjeshme e temperaturave, pritet që të kemi reshje të pakëta të dëborës, kryesisht në pikat më të larta të veri-lindjes. Ditën e sotme, e hënë, java ka nisur me temperatura ndjeshëm më të larta nga sa lamë pas. Mëngjesi i sotëm ishte së paku 4 gradë celcius më lart se një javë më parë, e cila u karakterizua nga temperatura kryesisht të ulëta. Gjatë ditës së sotme, temperatura minimale pritet në qytetin e Bajram Currit  dhe në Kukës me minus 2 gradë celcius, me vlera minus është temperatura edhe në juglindje. Zonat e tjera të Shqipërisë kanë vlera pozitive.  

Sa i përket rajonit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet që të jenë në ‘pushtetin’ e dëborës. E marta dhe e mërkura do të sjellin përmirësim të dukshëm thuajse në të gjithë territorin. Gjithashtu do të kemi ndërprerje të reshjeve, për të rinisur sërish të enjten dhe të premten. Në Kosovë temperaturat luhaten nga vlera minimale minus 3 gradë celcius deri në 5 gradë maksimalja. Maqedonia e Veriut është më ngrohtë, teksa tenmperatura maksimale arrin në 6 ose 7 gradë celcius./ZËRI/

Poll

MOS HUMB