
ITALI-Një muaj pas vdekjes tragjike të Fatos Cenaj, autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. 58-vjeçari shqiptar, i cili jetonte dhe punonte në Fontaniva të Italisë, u gjet i plagosur rëndë me armë zjarri më 8 qershor, ndërsa po shkonte me biçikletë drejt fermës ku punonte çdo ditë. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë si pasojë e një plumbi në kokë.
Karabinierët italianë janë duke analizuar me kujdes çdo lëvizje të tij në ditët para ngjarjes, në përpjekje për të kuptuar nëse Fatosi ishte ndjekur dhe nëse bëhet fjalë për një pritë të mirëorganizuar. Pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë rrugës Via Casoni Basse ku ndodhi ngjarja po shqyrtohen një nga një për të identifikuar fytyra të dyshimta ose automjete që mund të kenë ndjekur viktimën.
Sipas hetimeve, mëngjesin e 8 qershorit në atë rrugë kanë kaluar mbi 30 makina. Shumica e tyre i përkasin banorëve të zonës që ishin kthyer nga kisha ose po bënin punët e përditshme. Por autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që midis këtyre automjeteve të ketë pasur edhe ndonjë të panjohur, të huaj për zonën, që mund të jetë i përfshirë në krim.
ka dyshime që Fatos Cenaj gjatë karrierës së tij në Shqipëri, mund të ketë shkelur diku "në kallo" dhe tashmë pala tjetër ka gjetur mundësinë për t'u hakmarrë. Por personin që ka qëlluar e ka parë vetëm Cenaj. Hetimi po fokusohet tek dy pista kryesore: një atentat i qëllimshëm ose një aksident i rëndë si pasojë e ndonjë të shtënë të pakujdesshme nga dikush që mund të ketë qenë duke gjuajtur në fusha./ZËRI