Aktualitet

GJKKO zgjat afatin e paraburgimit për Laert Haxhiun

Në të njëjtin vendim Gjykata e Posaçme zgjati afatin e paraburgimit edhe për Firdeus Berberin

F.I
GJKKO zgjat afatin e paraburgimit për Laert Haxhiun
Laert Haxhiu

TIRANË-Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për të zgjatur me tre muaj afatin e paraburgimit ndaj Laert Haxhiut. Sipas vendimit të gjyqtarit të posaçëm Erion Bani, paraburgimi ndaj tij është zgjatur deri më 3 tetor 2025.

Në të njëjtin vendim Gjykata e Posaçme zgjati afatin e paraburgimit edhe për Firdeus Berberin, i cili u arrestua bashkë me Haxhiun në Greqi në maj të vitit 2023, duke e çuar afatin fundor deri në muajin nëntor.

Laert Haxhiu është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjes. “Masakra e Lushnjes” ka ndodhur në shtator të vitit 2017. Shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por të vdekur mbetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Laert Haxhiu akuzohet nga autoritetet shqiptare për 16 vepra të ndryshme penale, që përfshijnë vrasje, atentate, plagosje, grabitje e shumë të tjera, të kryera në formën e grupit kriminal. Dosja u zbërthye pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Marjus Tafani. Laert Haxhiu u arrestua në Selanik të Greqisë dhe më pas, pas një procesi të gjatë gjyqësor në vendin fqinjë u ekstradua në Shqipëri./ZËRI

Poll

MOS HUMB