
ITALI-Ka ndërruar jetë pas tre ditësh në spital ish-polici, Fatos Cenaj. 59-vjeçari shqiptar u qëllua më 8 qershor në mes të fshatit teksa po ngiste biçikletën e tij për të shkuar në punë në një fermë aty pranë, rreth dy kilometra larg shtëpisë. Nga dritarja e një automjeti, dyshohet se një vrasës me pagesë mund ta ketë qëlluar nga afër duke e rrëzuar në tokë.
Mediat italiane shkruajnë se ka dyshime që Fatos Cenaj gjatë karrierës së tij në Shqipëri, mund të ketë shkelur diku "në kallo" dhe tashmë pala tjetër ka gjetur mundësinë për t'u hakmarrë. Por personin që ka qëlluar e ka parë vetëm Cenaj, i cili nuk dihet nëse do të mbijetojë.
Hetuesit po përpiqen përmes një aktiviteti të kujdesshëm teknik të përgjojnë të gjitha linjat telefonike që në kohën e tentativës së vrasjes kishin qenë të lidhura me qelizat e Fontaniva dhe konkretisht ato në afërsi të Via Casoni Basse.
Aktualisht nuk ka dëshmitarë dhe nuk janë gjetur kamera sigurie që të ndihmojnë hetuesit. Detaji i vetëm i njohur është se vrasja ndodhi në një zonë bujqësore të Fontanivës, ku një kalimtar i cili po kalonte aty, pa një person të shtrirë në një kanal pranë triciklit dhe mendoi se Cenaj kishte patur një ndërlikim apo kishte rënë të fikët.