FIER- Aranit Arapi, 35 vjeç, i cili akuzohet se abuzoi seksualisht me 14-vjeçaren në Divjakë është lënë në burg nga gjykata e Fierit. Arapi rrezikon nga 7 deri në 15 vite burgim. ZËRI ka siguruar video në sallën e gjyqit, ku 35-vjeçari shfaqet duke mbuluar fytyrën me xhup.
Arapi mësohet të ketë thënë para prokurorit se kur është njohur me vajzën mendonte se ajo ishte 17 vjeçe, sepse edhe fizikisht ajo dukej me e rritur se mosha që ka.
“Në fillim nuk e dija moshën pastaj u lidhëm dhe ajo donte të jetonte me mua”,- mësohet të ketë thënë 35-vjeçari.
Avokati i Arapit, gjatë seancës ka kërkuar një mase më të butë sigurie, pasi sipas tij vajza e mitur është larguar me dëshirën e saj nga familja për të jetuar me 35-vjecarin.
Aranit Arapi nga fshati Kryekuq i Divjakës është vënë në pranga nga policia mbrëmjen e 10 janarit. Rasti i abuzimit me të miturën në Divjakë, tronditi opinionin ku bashkëshorti i saj 35-vjeçar u vendos në pranga se ka kryer marrëdhënie seksuale më një vajzë të mitur. E mitura që prej muajit mars të vitit të shkuar jetonte me familjen e djalit ndërsa këta të fundit kishin bërë edhe dasmë.
Ndërkohë prindërit e djalit kanë dalë publikisht dhe shprehen se i biri ka qenë i martuar me vajzën dhe nuk ka kryer marrëdhënie pa dëshirën e saj. Madje pretendojnë se familja e vajzës nuk ishte dakort për martesën dhe e mitura kishte gënjyer për moshën duke iu thënë se ishte 17 vjeç dhe jo 14. Vajza 14 -vjeçare është nën kujdesin e ekspertëve në një qendër sociale në Tiranë, aktualisht pa arsim./ZËRI