
GREQI- Mes personave të arrestuar në Greqi si pjesë e grupit të trafikut të drogës, është edhe Enivled Aliaj, 39 vjeç nga Saranda. Aliaj ndodhet në Korfuz në burg në pritje të ekstradimit, nga ku drejtonte dhe bandën e trafikut të drogës.
Enivled Aliaj rezulton i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana për veprën penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “dhunë në familje”.
Si ndodhi ngjarja?
Aliaj në 9 prill 2022, në shëtitoren e Sarandës, ka tentuar të vrase duke goditur disa herë me thikë shtetasin Dino Majko, aktualisht 30 vjeç, duke e plagosur rënde. 1 muaj para ngjarjes Aliaj mësohet se i kishte dëmtuar më thikë gomat e makinës Majkos dhe dy ditë pas kësaj kishte kanosur me thikë brenda ambienteve të Spitalit të Sarandës ish-bashkëshorten e tij.
Për këtë ngjarje Aliaj u arrestua në Korfuz në 14 prill 2023, në lidhje me urdhër arrestin e lëshuar nga Shqipëria. Gjithashtu 39-vjeçari ka një mase të dytë sigurimi “Arrest ne burg” dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër në 5 maj 2022 për veprën penale “dhunë në familje”.
Enivled Aliaj ishte një prej 14 personave të arrestuar një ditë më parë nga Policia greke si pjesë e grupit të trafikut të drogës.Mes të arrestuarve dhe të shpallurve në kërkim janë 11 shtetas shqiptarë, shumë prej të cilëve nga Saranda. Grupi kriminal funksiononte prej shtatorit 2022 duke qarkulluar rreth 1.5 kg kokainë, nga të cilat 950 gram janë sekuestruar nga policia./ZËRI