
LEZHË- Gjykata e Lezhës ka lënë në burg 24-vjeçarin Arkil Selimi, i cili u arrestua pasi iu gjetën të fshehura në trup mina me telekomandë, që dyshohet se do t’ia shiste grupeve kriminale.
Selimi ka zgjedhur që të mos bashkëpunojë me hetuesit, duke mos treguar se kujt do t’ia shiste minat, që i mbante të fshehura në trupin e tij.
Minat do të shiteshin në treg për vlera deri në 2500 euro, ndërsa janë për shpërthim mje telekomandë.
Vetëm në këto muaj të parë të vitit 2024, në Lezhë janë goditur disa raste të tregtimit të minave për shpërthim me telekomandë.
Dyshohet se i riu i montonte vetë minat, dhe më pas ua shiste grupeve kriminale. Ai akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Arkil Selmi, nga Fushë Kruja, u vu të premten në prangat e Policisë së Lezhës, pasi në afërsi të Milotit dhe gjatë kontrollit fizik, 24-vjeçarit iu gjetën të fshehura në trup, 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë.
/ZËRI