Aktualitet

Me dy mina në trup, arrestohet 24-vjeçari, Policia: Do ua shiste grupeve kriminale në Lezhë

Sekuestrohen 2 mina (me lëndë plasëse C4), me telekomandë për shpërthim në distancë.

E.K
Me dy mina në trup, arrestohet 24-vjeçari, Policia: Do ua shiste
Momenti i arrestimit

LEZHË- Një 24-vjeçar është arrestuar nga Policia në Lezhë, pasi i janë gjetur të fshehura në trup dy mina me telekomandë, që dyshohet se do i shiteshin  grupeve kriminale. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se personi i arrestuar është shtetasi Arkil Selimi, i të cilit i janë gjetur minat për shpërthim në distancë. Ai po udhëtonte nga Fushë-Kruja në drejtim të Lezhës, por u lokalizua në afërsi të Milotit. Ndaj edhe ka dyshime se materialet ishin porositur nga grupe kriminale që operojnë në zonën e Lezhës. Kështu, Policia po heton edhe për të zbuluar emrat e porositësve. Deri më tani u zbulua se Selimi i montonte vetë minat, e më pas i shiste për çmime që varionin nga 1500 deri në 2500 euro.

NJOFTIMI I POLICISË:

Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Horizonti”. Policia parandalon ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me mina me telekomandë. Me 2 mina me telekomandë, të fshehura në trup nga Fushë Kruja në drejtim të Lezhës, për t’ua shitur grupeve kriminale, ndërhyrja në kohë e Policisë vë në pranga 24-vjeçarin. Sekuestrohen 2 mina (me lëndë plasëse C4), me telekomandë për shpërthim në distancë. 

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me  Seksionin kundër Trafiqeve të Paligjshme, Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, Forcat Operacionale dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i Ligjit” dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas nga Fushë Kruja, po udhëtonte në drejtim të Lezhës dhe kishte me vete mina me telekomandë, për t’ua shitur grupeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Horizonti”.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në afërsi të Milotit, shtetasin e dyshuar A. S. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 2 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale. Në përfundim të veprimeve të para procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 24 vjeç, banues në Fushë Krujë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./ZËRI 

Poll

MOS HUMB