
TIRANË- SPAK i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë kërkesën në lidhje me ekstradimin e Gëzim Çelës, i arrestua pasditen e së premtes në Kosovë. Tashmë pritet që Ministria e Drejtësisë të përpunojë dosjen dhe ta përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë.
Ndërkohë Gjykata e Kosovës pritet që të japë vendimin për ekstradimin. Procedurat janë të njëjta si me çdo shtet tjetër, por lehtësohen për shkak të gjuhës dhe nuk nevojitet përkthim.
Gëzim Çela prej 2006-ës ishte në kërkim nga policia për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Bazën e kishte në zonën e Fushë Kuqes. ‘Baroni i drogës’ Gëzim Çela u arrestua më 8 dhjetor në Kosovë. Gjatë këtij operacioni, u arrestua për ndihmë ndaj tij, shefi i komisariatit të Laçit, Dritan Meta. Në momentin e arrestimit në 8 dhjetor 2023, 55-vjeçari ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria. Nga kontrollet e ushtruara atij iu gjetën karta identiteti si shtetas i Kosovës.
Ai qarkullonte me identitet të ndryshuar si Bekim Bajraktari, ndërkohë që dyshohet se është ndihmuar nga shqiptarë të Kosovës, për t’iu fshehur kaq gjatë drejtësisë shqiptare. Gjithashtu Çela shfaqet më ndryshe dhe në pamjen e tij, ku dyshohet se ka kryer ndërhyrje estetike, në mënyrë që të mos identifikohej./ZËRI