Aktualitet

U arrestua dje, lihet në burg “baroni i drogës” Gëzim Çela 

Në momentin e arrestimit 55-vjeçari ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria.

F.m
U arrestua dje, lihet në burg “baroni i drogës” Gëzim
Gëzim Çela

KOSOVË- Gëzim Çela, i njohur si “baroni i drogës” është lënë në burg sot, një ditë pasi u vu në prannga në Ferizaj të Kosovës. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Ferizajt.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Gëzim Çela, i kërkuar nga Autoritete e Republikës së Shqipërisë, në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale trafikimi me narkotik nga neni 283 a/2 dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit nga neni 278/4 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë (KPRSH) në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Në momentin e arrestimit 55-vjeçari ishte në shoqërinë e dy femrave nga Shqipëria.

Nga kontrollet e ushtruara atij iu gjetën karta identiteti si shtetas i Kosovës. Ai qarkullonte me identitet të ndryshuar si Bekim Bajraktari, ndërkohë që dyshohet se është ndihmuar nga shqiptarë të Kosovës, për t’iu fshehur kaq gjatë drejtësisë shqiptare.

Çela shfaqet më ndryshe dhe në pamjen e tij, ku dyshohet se ka kryer ndërhyrje estetike, në mënyrë që të mos identifikohej.

Gëzim Çela është konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të drogës në Evropë.  Ish-punonjësi i forcave speciale ka nisur aktivitetin e tij kriminal që në vitin 1998 në Itali, vend ky ku ka dhe një dënim në mungesë prej 20 vitesh.

Poll

MOS HUMB