
BELGJIKË- Ish-avokati penal i Antwerp në Belgjikë, Sahil Malik, është dënuar me 5 vite burg, nga të cilat 20 muaj me kusht, për shkak se ka pasur kontakt me trafikantët e drogës. Gjykata deklaroi se 33-vjeçari ka ndihmuar kartelet të trafikojnë kokainë, duke shfrytëzuar postin e tij.
“Sahil Malik abuzoi rëndë me pozitën e tij si avokat dhe ofroi shërbime të gjera për një organizatë kriminale në importin e kokainës nga porti i Antwerpit. Ai u pagua shumë për këtë. Është e qartë se ai po kërkonte vetëm përfitime të mëdha financiare dhe nuk kujdesej për rreziqet e veprimeve të tij”, thuhet në vendim.
Avokati tashmë i preferuar nga disa lojtarë kryesorë nga skena e drogës në Antwerp, si Yannick ‘Flash’ W., u arrestua në mars të vitit 2021 dhe u mbyll në burg për shtatë muaj në paraburgim. Autoritetet belge arritën të godisnin rrjetin “Sky ECC”, me të cilin kriminelët mund të komunikonin fshehurazi dhe mund të konsultoheshin me njëri-tjetrin. Për ditë të tëra, hetuesit belgë ishin në gjendje të lexonin bisedat midis kriminelëve dhe trafikantëve të drogës se si ata kontrabandonin kokainë në portin e Antwerp. Mes bisedave të siguruara mediat e huaja kanë zbuluar dhe lidhjet e avokatit belg me trafikantët shqiptarë dhe si u pagua ai me orë 'Rolex', e cila thuhet se vlente 32 mijë euro.
Bisedat me shqiptarët
Në 2 maj 2020, një trafikant shqiptar pyeti avokatin me pseudonimin “Sher” nëse mund të mësonte se çfarë ndodhi me një ngarkesë kokaine që u kap në kalatën 1742. “Sher” u përgjigj se kishte pyetur një pensionist, gruaja e të cilit punonte ende në port. Ai mund të vinte shqiptarin edhe në kontakt me sulmuesit, nëse dëshironte. Në biseda të tjera ai sugjeron se kishte kontakte në doganë që mund të kontrollonin nëse kontejnerët ishin përzgjedhur për skanerin apo jo.
Vetë Malik pas arrestimit pranoi se ai ishte "Sher" dhe ishte në dijeni të aktiviteteve të një karteli droge, madje ishte përfshirë në mënyrë aktive në të.
Me kërkesë të drejtuesve, ai mori mbrojtjen e anëtarëve të bandës, vetëm për të pasur mundësi të shikonte dosjen penale dhe t’i kalonte informacione kartelit. Ai u dërgonte mesazhe klientëve të tij dhe ishte një ndërmjetës për mbështetje financiare. Mësohet se avokati informoi klanin nëse një nga klientët e tij nuk i përmbahej të drejtës për të heshtur dhe vazhdonte të fliste me policinë.
Në këmbim të çshtjeve të mbyllura avokati kërkohej të paguhej me shuma të mësha parash.
"E gjithë dosja është në kosh,” tha “Sher” më 18 shtator 2020, kur ai fitoi një proces gjyqësor.
“Shpresoj që miqtë tuaj të vijnë me një çantë të madhe sportive.” Në një rast tjetër, Malik është paguar nga kontakti i tij shqiptar me një orë Rolex, për të cilën thuhet se vlente 32 mijë euro. Gjithsesi nga hetimi rezultoi se ora ishte një kopje e falsifikuar pa vlerë.
Malik tani është përjashtuar si avokat dhe u dënua me 5 vite burg, nga të cilat 20 muaj me kusht, për anëtarësim në organizatë kriminale dhe pastrim parash. Gjykata vendosi konfiskimin e 161 mijë eurove. /ZËRI