
LEZHË- Në orët e para të mëngjesit një shpërthim me tritol ka ndodhur në një lokal në Lezhë. Mësohet se shpërthimi ka ndodhur në lokalin e Ilir Markvukaj, i cili rezulton një person me precedentë të mëparshëm penal. Mësohet se 47-vjeçari është arrestuar në vitin 2017 gjatë një aksioni antidroge. Bashkë me të janë arrestuar Besim Gashi dhe Sami Vatija nga Kosova. Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 25 kilogramë kanabis.
Markvukaj prej vitesh ka disa biznese në Lezhë, si palestër, bar-kafe dhe një fermë me kafshë. Fatmirësisht nga shpërthimi askush nuk është plagosur, por janë shkaktuar dëme materiale.
“Rreth orës 03:00, të mëngjesit të sotëm, në qytetin e Lezhës, para derës së lokalit të mbyllur, të shtetasit I. M., 47 vjeç, është hedhur lëndë plasëse dhe për pasojë janë shkaktuar dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, njofton Policia./ZËRI